8 sekretarë të AK-së largohen nga partia

Aleanca "Kuqezi" përçahet vetëm 2 muaj para zgjedhjeve kur kjo forcë politike do të garojë e vetme. Tetë sekretarë të Aleancës "Kuqezi" janë larguar nga kjo forcë politike ndërsa kanë akuzuar kreun e AK-së Kreshnik Spahiu se e ka kthyer partinë në pazar.“Të gjithë ne jemi sekretar politik dhe përgjegjës të departamenteve kryesore të AK. Duke parë që nuk funksiononte ky panel politik vendosëm të largohemi. AK nuk funksiononte si parti dhe ne nuk mund të qëndromin në një batak. Komandanti i AK-së dilte përpara dhe shitej si një lider i madh. Kreu i AK-së e ktheu partinë në një pazar dhe futi në parti njerëz që kanë shkuar atje për interesa të ngushta meskine” theksoi një prej sekretarëve të larguar nga AK-ja.Ata kanë theksuar se janë shpërfillur nga kreu i AK-së Kreshnik Spahiu sa i përket vendimit të rëndësishëm për koalicion parazgjedhor.Sipas tyre, me hyrjen  e AK-së e vetme në zgjedhje është vënë në rrezik vetë ekzistenca dhe kauza e saj.“Aksionet tona politike shpeshherë groteske dhe për tu shitur më shumë se ç`duhet kanë dëmtuar emrin tonë” kanë theksuar ata.Disa ditë më parë kreu i AK-së Kreshnik Spahiu deklaroi se kjo forcë politike nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti politike por do të garojë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit.