Tabaku: Rama ankohet për kopjim programi, por s'ka ide

Jorida Tabaku, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës u përgjigjet akuzave të ish kryebashkiakut Edi Rama se pasardhësi i tij Basha po riciklon programet e lënë nga ai. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Tabaku tha se këto janë akuza të përsëritura nga ana e liderit të opozitës, në mungesë të ideve të tij.“A ka pasur ndonjë gjë që ne kemi bërë dhe Rama nuk është ankuar se ne se kemi vjedhur. Të gjitha këto që po bëjmë janë prioritete që ne i kemi premtuar gjatë fushatës elektorlae. Duke mbetur tek fondi i garancive, ne si bashki po përpiqemi të luajmë rolin tonë në kushtet e një krize, pra po tentojmë mbështetjen e të rinjve në krijimin e bizneseve të tyre.Bashkia do mbulojë normën e interesit, do mbështetsim ato biznese që kanë prioritet prodhimin, që punësojnë të rinjtë. Kjo është iniciativa më e madhe që ka ndërmarrë ndonjëherë një pushtet lokal në vend, por dhe rajon. Rama ishte 11 vjet në bashki dhe mund të bënte shumë gjëra, qytetarët e gjykojnë vetë” tha Tabaku.Sipas Tabakut bashkia e Tiranës ka një marrëveshje me qytetarin dhe vetëm atij i jep llogari. Në këtë kontekst ajo theksoi se ky institucion dhe kryetari saj janë përpjekur të qëndrojnë jashtë politikës, përkundrejt tentativës për ti përshirë.“Ne e kemi kaluar kohën e bashkisë ku drejtonte zoti. Rama, s’ka pasur asnjë presion për përshirje të njerëzve me zor në fushatë. Më vjen keq që merren me të tilla akuza dhe aspak me programin. Nëse më përpara bashkia e Tiranës merrej vetëm me luftë politike, sot ne kemi projekte, punë konkrete. Jemi përpjekur të qëndrojmë larg dhe pse duan të na përfshijnë. Ne kemi një marrëveshje me qyetetarin dhe vetëm atij i japim llogari” shtoi ajo.Teksa balancat politikë edhe në nivel lokal ndryshuan frikshëm pas largimit të LSI nga koalicioni me PD, Tabaku shprehet se Bashkia ende nuk është vënë përballë këtij presioni, ndërsa shton se këshilltarët e majtë duhet të tregohen konstruktivë pasi projektet nuk janë të Bashkisë por qytetarëve.“Nuk e dimë akoma, do shohim kur të cojmë projektet për votim. Mbledhja thirret vetëm me kërkesë të kryetarit. E vrovuam dicka të tillë në njësinë 4 për ndihmën sociale dhe e panë reagimin e qytetarëve. Shpresoj që pas kalimit të kësaj situate të acaruar elektorale do tregohen konstruktiv dhe do mbëshetin vendime në shërbim të qyetarëve” tha më tej nënkryetarja e Bashkisë.

Tabaku komentoi edhe raportin e konvertimit të premtimeve në rezultate konkrete  të Kryebashkiakut Basha përgjatë kësaj periudhe të drejtimit të Bashkisë së Tiranës si dhe projektet që priten të marrin jetë.  

“Për ne nuk ka rëndësi fushata elektorale, ka rëndësi që kemi filluar projekte që Tiranës i mungonin prej vitesh. Po punohet gjithkund, në infrastrukturë, ndërtime shkollash, kopshtesh, çerdhesh, gjelbërim. Një pjesë e mirë janë duke përfunduar, një pjesë tjetër janë në proçes dhe priten të përfundojnë shpejt. Infrastruktura është një fushë ku kemi punuar fort.  Në shtator inagurojmë shkollat e reja që kemi ndërtuar. Pa lënë pasdore edhe projektet strategjike. Më në fund kemi linjën e re të transportit Kombinat–Kinostudio. Pjesa më e madhe e punëve publike janë hapur në shtator të vitit të kaluar, pasi duan një kohë fizike për realizim, por kjo nuk ka aspak lidhje me fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare. Përveç infrastrukturës, do fillojë një grup i ri projektesh. Shumë shpejt do fillojmë zgjatimin e bulevardit, është siguruar dhe investimi për fazën e parë. Përvec vendeve të reja të punës do ti japë zhvillim edhe zonës, do ti japin një bum dhe zhvillim kryeqytetit.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku foli edhe për programin e PD, me në fokus barazinë gjinore dhe propozimet që ofron kjo forcë politike në funksion të rritjes së rolit të gruas dhe përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet.

“Tematika e fushatës deri më tani ka qenë programore, kjo është java që i përket barazisë gjinore. Gjatë kësaj jave do diskutohen ato që janë bërë por edhe propozimet për të ardhmen. Si rezultat i politikave të kësaj qeverie kemi arritur shanse të barabarta për arsimim, sektorët tradicionale të punësimit të grave kanë pësuar rritje të pagave. Kemi politika të përfshirjes gjinore. Themeli i programit është se gjithkush është i barabartë, të ketë shanset e barabarta në të gjithë sektorët, mikrokredi dhe mbështetje të zonjave që duan të krijojnë apo kanë biznese. Së fundi përfshirja respektimi jo i kuotave, por respektimi në të gjitha nivelet. Kemi ligje që lejojnë përfaqësimin e grave në çdo nivel. Përveçse kemi dhënë të drejta kemi qenë të kujdesshëm që edhe ato të zbatohen.Ne kemi një kryetare parlamenti, ministre, zonja të nderuara deputete, kryetaren e KQZ, ente rregulluese, unë vetë kam qenë kryetare e listës së këshilltarëve të Bashkisë dhe kjo sigurisht tregon mbështetjen ndaj gruas. Fatkeqësisht dëshpërimi ka filluar shumë herët. Zoti. Rama ka tre herë të fundit që humb në cdo sfidë të tij dhe do ta humbë edhe sfidën e radhës, kjo u reflektua edhe te KQZ, normalisht edhe te një mungese programore. Nuk besoj se diskutojmë për parime, thjesht për një aleancë individësh që po lufton për pushtet përkundrejt aleancësh sonë, një aleancë vlerash dhe arritjesh” përfundoi Tabaku.