Nishani prezanton Zaganjorin:Gjykata e Lartë, e mbingarkuar me dosje

Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka prezantuar sot kreun e ri të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin.Në fjalën e tij, kreu i shtetit ka shprehur besimin së Gjykata e Lartë do të orientojë si duhet sistemin e drejtësisë ndërsa shtoi se do të kërkoj unifikim të praktikave gjyqësore.Ai ka vlerësuar se sfidë e sistemit të drejtësisë mbetet koha e gjatë që qytetarëve u duhet të presin për të zgjidhur ankesat apo problemet e tyre nëpër gjykata.Ndërsa evidentoi si problem mbingarkimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë, kreu i shtetit theksoi se ky institucion duhet të jetë supreme dhe të mos funskionojë si gjykatë e shkallës së tretë.“Shpreh besim ndaj Gjykatës së Lartë,për një orientim ligjor të të gjithë sistemit të drejtësisë. Gjykata e Lartë është rregullator i sistemit të drejtësisë për shkak të kompetencave që ka. Do të kërkoj unifikim të praktikave gjyqësore që është kompetenceë ekskluzive e Gjykatës së Lartë.  Sfidë për sistemin e drejtësisë, koha e gjatë që u duhet qytetarëve për të marrë zgjidhje në gjykata. Gjykata e Lartë është e mbingarkuar me dosje, pothuajse gjithë vendimet e Apelit shkojnë për rekurs në këtë gjykatë. Gjykata e Lartë duhet ta shpëtojmë nga funksionimi si gjykatë e shkallës së tretë, ajo duhet të jetë supreme. Kemi përgjegjësi për të kontribuar në ndërtimin e një shteti për qytetarët” tha kreu i shtetit.

Nga ana tjetër Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori garantoi Presidentin e Republikës, në emër edhe të të gjithë trupës së gjyqtarëve, se në vijimësi kjo gjykatë dhe anëtarët e saj, me përkushtim dhe devotshmëri do të rrisin profesionalizmin në shërbim të rritjes së shpejtësisë së gjykimit të çështjeve, në mënyrë që, përfituesi kryesor të jetë me të vërtetë shteti shqiptar, forcimi i demokracisë shqiptare, por në radhë të parë të jetë qytetari shqiptar.

 Në ceremoninë solemne në ambientet e Gjykatës së Lartë u prezantuan dhe dy anëtarët e sapoemëruar Admir Thanza dhe Tom Ndreca, të cilët u betuan solemnisht se do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi duke  respektuar rregullat e etikës profesionale.