Meta në Vlorë: Nuk duam shtyrje të zgjedhjeve, do ta mundim Berishën 9 me 3
Nga qyteti i Vlorës, kreu i LSI Ilir Meta i ka përcjell një mesazh të qartë ish aleatit të tij Sali Berisha se opozita nuk kërkon shtyrje të zgjedhjeve, madje nëse do ishte e mundur do ti zhvillonte që sot. Meta gjatë takimit me struktura dhe simpatizantë të LSI në qytetin e pavarësisë akuzoi mazhorancën se ka transformuar edhe Parlamentin,ku sipas tij për gjithcka flitet vecse për problemet e qytetarëve shqiptarë.“I them sot nga Vlora Berishës të mos shohë ëndrra me sy hapur se opozita do bojkotojë apo të shtyjë zgjedhjet, opozita dhe Vlora duan që zgjedhjet të bëhen që sot. Ne jemi vendi me popullësinë më të re në Europë, jam i sigurt se rinia e Shqipërisë do ta thotë fjalën e saj në 23 qershor në mënyrë që të sjellin ndryshimin.Një javë më parë e kthyen parlamentin e leshit, sot në atë të veshit. Duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit, reformat, larg akuzave. Duam një hqipëri me një klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha ai.I bindur në rrotacionin politik, Meta nuk ka nguruar të hedhë dhe bastet e para për rezultate, ku garantoi se do ta mundë Berishën në Vlorë 9 me 3.“Demokratët nuk janë armiqtë tanë, por e dhanë maksimunin në 8 vite, është koha për ndryshim.LSI është e bindur në suksesin tonë në këto zgjedhje se është interes i gjerë i publikut, i realizimit të projektit tonë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 8 viteve të ardhshme. Aleanca jonë e nisi rrugën e fitores në Shkodër dhe jam i bindur se kulmin e kësaj fitoreje do ta ketë në Vlorë.E kemi të pamundur ta mundim Berishën në Vlorë 8 me 2 se kemi 12 mandate, por ju jap fjalën se do mundim 9 me 3. Vlora na ka nderuar gjithmonë, e bëri dhe nëntorin e kaluar pavarësisht përpjekjeve për ta lënë në hije dhe ata anashkalojnë. Ato që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe Isamil Qemalin bënë shumë gabim, pasi u matën me historinë. Po me 24 qershor ata sdo ta kenë më këtë mundësi. Kur thua Vlorë të vjen në kujtesë shteti dhe themeli i tij. Sot pas 100 vitesh Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, një vend që ka bërë jo pak në hapat e integrimit, janë liberalizuar vizat. Por integrimi europian për fat të keq sot është në udhëkryq nga politika konfliktuale. Vlora dëshiron të ecë më shpejt” theksoi Meta.Lideri i LSI ka ironizuar edhe premtimin e liderit demokrat Berisha për hapjen e 250. 000 vendeve të reja të punës, ndërsa nuk kurseu edhe kritikat për qeverisjen Berisha.“Jemi këtu ti themi cilido që premton 250 000 vende pune që nuk hapi dot 50 mije në 8 vite se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazur. Jemi për tu thënë të gjithëve që mbajtën fjalime të jashtëzakonshme se Vlora nuk mund të pajtohet me këtë injorim të realitetit, për tu thënë se nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive që kanë bërë punë publike po shkojnë rreth 300 mln euro të papaguara. Nuk mund të vazhdohet më këtë eufori boshe të sukseseve” tha më tej kreu i LSI-së.Shqipërisë i duhet një alternativë me këmbë në tokë, tha më tej Meta, ndërsa shprehu angazhimin e LSI për zbatimin e një plani konkret për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe punësimin e qytetarëve.“Shqipëria ka nevojë për një alternativë me këmbë në tokë. LSI ka një plan konkret për punësimin e njerëzve dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme. LSI është e vendosur për të aplikuar skemën e granteve dhe mikrokredive me interes të kënaqshëm në bujqësi. Jemi të angazhuar për të zhvilluar turizmin. Jemi të vendosur për zhvillimin e bizneseve të reja, si fasone, call-center, etj, si mënyra më e sigurt për të rritur punësimin. Ne duam një Shqipëri që respekton shtetin ligjor dhe Kushtetutën, se janë baza për një të ardhme të sigurt dhe për të ecur më shpejt drejt integrimit. Është detyra jonë të ngremë standarde, rinisë ti kthejmë shpresë, vizion për sot dhe nesër. Jemi të vendosur për t’iu përkushtuar këtyre qëllimeve, për ti qëndruar larg konfliktualitetit shterpë që po na mban larg BE” përfundoi kreu i LSI, Ilir Meta.