Berisha: Nuk ka ndryshim të kodit, Rama të sjellë emrat për KQZ
Kreu i qeverisë dhe lideri i mazhorancës Sali Berisha refuzon kërkesën e PS për cfarëdo zgjidhje lidhur me KQZ. Ndërsa ka zhvilluar një takim me strukturat e PD në kryeqytet, një ditë pas zyrtarizimit të koalicionit të djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim” Kryeministri i bëri thirrje Ramës të kthejë një orë e më parë anëtarët e tij në KQZ.I vendosur për të mos ndryshuar asnjë gërme të Kodit Zgjedhor, lidershipi i PD u shpreh se viktima e pamerituar e këtyre zgjedhjeve është i ndjeri politik Jani Jani, anëtari i dorëhequr i PBDNJ-së.“Rama të kthejë sa më shpejt anëtarët në KQZ.Nuk do ketë ndryshim të asnjë gërme të Kodit Zgjedhor. Viktima e pamerituar e këtyre zgjedhjeve është i ndjeri politik Jani Jani. Ajo që i ndodhi atij as në romane nuk tregohet” tha ai.Ndërsa dha direktivat për fushatën elektorale, Berisha kërkoi mobilizimin e strukturave për të faktuar para botës sesa absurd dhe qesharak janë ata që duan të demantojnë zgjedhjet.“Shkojmë drejt një fitoreje të shkëlqyer në zgjedhjet e 23 qershorit” tha më tej Kryeministri.Berisha nuk la pa ironizuar përbërjen numerike të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, ku u shpreh se aleanca e majtë ka reshtuar 40 emra si për të respektuar traditën e të 40-ve.Më herët gjatë ditës Partia Socialiste përmes deputetes së saj Vasilika Hysi ftoi Kryeministrin Berisha për të gjetur një zgjidhje për rikompozimin e KQZ.“Ne si PS jemi të gatshëm për të punuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit.Për të gjitha arsyet e mësipërme, e ftojmë kryeministrin në ikje që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tone” tha ajo.