Jurgen Klopp: Largimi i Goetze, shpresoj mos të ndikojë ndaj Realit
Transferimi i Mario Goetzes te Bayern Mynih, nxjerr në plan të dytë tek Borussia Dortmund, vigjiljen e sfidës gjysëmfinale të Champions League ndaj Real Madrid. Në konferencën e zakonshme për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Jurgen Klopp, është detyruar në fillim të sqarojë këtë çështje shumë të rëndësishme për tifozët verdhezi."Arsyeja se përse Goetze zgjodhi Bayern, është se e kërkoi Pep Guardiola. Ai dëshiron të punojë me të dhe i vetmi faj i imi është se nuk jam spanjoll. Unë nuk mund të ndryshoj mënyrën time të futbollit dhe të praktikoj tiki-taka", deklaroi Klopp.45 vjeçari, ka pranuar që kjo situatë do të sjellë shqetësim tek skuadra dhe tifozët, por shpreson që kjo të mos ndikojë tek ndeshja ndaj Real Madrid në gjysëmfinalen e Champions League që do të luhet sonte."E dija për këtë transferim një ditë pas ndeshjes së dytë me Malagan. Kështu që mu deshën vetëm 24 orë për tiu rikthyer normalitetit. Shpresoj që kjo situatë të mos sjellë probleme për përqëndrimin tonë në sfidën ndaj Real Madrid. Përpara kemi një objektiv akoma më të rëndësishëm. Shpresoj që tifozët të mësohen me këtë fakt. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe një mundësi për ne që të shkruajmë historinë. Do më pëlqente që në finalen e "Uemblit" të kemi një derbi Gjerman. ", përfundoi tekniku i Borussia Dortmund.Borussia Dortmund kërkon finalen e Champions League, pas 16 vjetësh mungesë. E veçanta e gjysëmfinales ndaj Real Madrid, është se këto skuadra janë ndeshur bashkë edhe në fazën e grupeve, me gjermanët që morën katër pikë në dy përballje. Barazuan në Madrid dhe fituan në Gjermani.