Shpërthejnë polemikat për aktivizimin e Messit
Humbja e thellë 4-0 përballë Bajern Mynih, ka sjellë edhe polemikat e para në adresë të stafit teknik të Barcelonës, pasi tifozët dhe specialistët në Spanjë kanë kritikuar vendimin e marrë për të aktivizuar gjatë 90 minutave Lionel Mesin. Argjentinasi nuk ishte në një formë të mirë dhe kjo dukej qartë, pasi praktikisht la skuadrën e tij me 10 lojtarë gjatë gjithë ndeshjes.Edhe vetë menaxheri i futbollistit ka pranuar se nuk priste që argjentinasi të aktivizohej në këtë sfidë, të paktën jo që nga minuta e parë."Babai i Mesit më tha në drekë se nuk ishte në gjendje për të luajtur", ishte pohimi i Zhozep Maria Minguella, përfaqësuesi i lojtarit argjentinas.Vetë Mesi ka insistuar se ishte në gjendje të luante në këtë sfidë, ndërsa ka pranuar se tashmë gjithçka ka mbaruar dhe duhet të mendohet për sezonin ardhshëm."Ishin më të mirë se ne, shumë më të fortë. Ata na mundën në çdo aspekt, ishin superiorë. Unë kisha shumë kohë që nuk luaja por e ndjeja veten mirë para takimit ndaj vendosa të isha i gatshëm. Përmbysja është shumë e komplikuar. Do të provojmë ta bëjmë edhe pse Bajern është një ekip shumë i mirë. Tani duhet të ngremë kokën, të fitojmë kampionatin dhe të provojmë përmbysjen. Nëse nuk mundemi, do të mendojmë për sezonin e ardhshëm", tha argjentinasi që mendohet se do të qëndrojë pushim edhe në këtë fundjavë për të qenë sa më i freskët për takimin e kthimit ndaj Bajern Mynih.