Bie Barcelona, për Bayern bileta e finales është gati

Bajern Mynih ka treguar se e meriton të quhet skuadra më e mirë e momentit, pasi ka mundur lehtësisht me rezultatin 4-0 Barcelonën e madhe, në ndeshjen e parë gjysëmfinale të Ligës së Kampionëve.Bavarezët janë hakmarrë për humbjen 4-0 të vitit 2009, duke treguar se sa rrugë kanë bërë që atëherë dhe se jo rastësisht po i drejtohen finales së 3-të, në katër vitet e fundit në këtë turne.Me Mesin në fushë, Barcelona praktikisht ka luajtur me 10 lojtarë, pasi argjentinasi ka qenë inekzistent në sulm. Ndërsa nga ana tjetër, në pjesën e parë Bajern i ka lënë mbajtjen e topit katalanasve, por ka shfrytëzuar forcën fizike për të krijuar rrezik në çdo goditje standarde. Goli i avantazhit në minutën e 24-t vjen pikërisht nga një goditje këndi me autor gjermanin Myler, që nuk e ka të vështirë të dërgojë sferën në rrjetë pas pasimit të Dantes me kokë. Katalanasit mundohen të reagojnë por gjejnë një mbrojtje të hekurt në gjysëmfushën e Bavarezëve.Pjesa e parë mbyllet me golin e Myler ndërsa edhe e dyta nis mirë për vendasit që pas 4 minutave lojë dyfishojnë rezultatin me anë të sulmuesit Mario Gomes edhe pse ky i fundit dukej në pozicion jashtë loje. Ashtu si i pari, edhe goli i dytë vjen pas një goditje standarte, ku të besuarit e Heinkes e kishin të lehtë të fitonin çdo dyluftim ajror. Barcelona pëson një goditje të rëndë ndërsa nuk gjen forcat për të  reaguar, duke i lëshuar edhe kontrollin e topit kundërshtarëve që shfaqen me shumë lehtësi para Valdes. Në minutën e 73-të vjen edhe kapitullimi i katalanasve të cilët ndëshkohen me golin e tretë, që realizohet nga holandezi Arjen Roben. Bavarezët nuk do të mjaftohen me kaq, pasi në të 82-tën do të gjejnë edhe golin e katërt përsëri nga Myler i cili arrin të shënojë një dopiet personale në këtë takim. Barcelona shkatërrohet në Gjermani ndaj një Bajerni të jashtëzakonshëm, që ka ndërtuar Jup Heinkes, ndërsa shpresa për një përmbysje të madhe duket se këtë radhë nuk do të realizohet, e thënë kjo duke parë edhe fytyrat e dëshpëruara të katalanasve në fundin e ndeshjes. Për Barcelonën kjo ishte humbja më e thellë në 16 vitet e fundit në Chempions, ndoshta një paralajmërim i përfundimit të ciklit.