Partizani kërkon të rikthehet bindshëm edhe në merkato

Partizani ka arritur të sigurojë ngjitjen në Superiore, tri javë përpara fundit të kampionatit dhe tashmë drejtuesit janë të përqëndruar te ndërtimi i skuadrës së sezonit të ardhshëm.Ndërtimi i terreneve sportive por edhe përgatitja për merkaton e ardhshme, janë dy nga synimet kryesore të drejtuesve të Partizanit, të cilët kërkojnë të rikthehen denjësisht mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Baza e një skuadre të shëndetshme dhe me të ardhme, janë terrenet sportive dhe ekipet zinxhir, ndaj dhe drejtuesit po punojnë fort në këtë aspekt. Përsa i përket merkatos, shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, janë të gatshëm të rikthehen në gjirin e skuadrës nga ku kanë dalë apo kanë qenë për shumë vite pjesë e saj.Një emër i madh si Partizani, kërkon lojtarë të mëdhenj. Dy nga lojtarët e mirënjohur të superligës, Shkëmbi dhe Muzaka, do të ishin të kënaqur me një rikthim te Partizani. Të parin e tundon emri i madh që ka Partizani edhe pse është kampion te ekipi i Skënderbeut, ndërsa i dyti e ka të pamundur të refuzojë skuadrën nga e cila u afirmua si futbollist, gjithmonë në rast se drejtuesit kërkojnë ta rikthejnë në skuadër. Përveç këtyre emrave të mëdhenj, flitet se edhe lojtarë të tjerë do tu bashkohen të kuqve që në merkaton e ardhshme verore. Emrat që përfliten janë të shumtë, ku pjesa më e madhe e tyre vijnë nga kategoria Superiore. Osmani, Sheta, Hallaçi, Karabeci, Karapici, Batha dhe Llani janë emrat më të diskutuar që në sezonin e ardhshëm mund të vihen nën urdhërat e trajnerit Hasan Lika.