Formula 1, Vetel fiton Çmimin e Madh të Behrein

Sebastian Vetel ka fituar Çmimin e Madh të Bahrein në Formula 1, duke arritur kështu suksesin e dytë në këtë kampionat dhe duke çuar në 10 pikë diferencën nga ndjekësi më i afërt, që mbetet Kimi Raikonen.Gjermani i skuderisë Red Bull ka zhvilluar një garë perfekte, pasi ka arritur të ruajë vendin e dytë në momentet kaotike të xhiros së parë, ndërsa më pas ka kaluar edhe Rosberg që gjendej para tij, duke krijuar menjëherë shkëputje me ndjekësit. Ai ka shkuar i qetë drejt finishit të garës, duke mos u shqetësuar për atë që ndodhte pas krahëve të tij, ku pilot të shumtë kanë ndryshuar shpesh pozicionet duke e bërë këtë një nga garat me kaotike të sezoneve të fundit. Edhe këtë radhë në podium pas krahëve të tij kanë përfunduar dyshja e Lotus, me Raikonen e Groszhan që kanë nisur garën shumë keq, por më pas kanë fituar pozicione të njëpasnjëshme dhe kanë arritur të marrin pikë të vlefshme si në luftën për botërorin e pilotëve, ashtu edhe në atë të konstruktorëve.Vendi i katërt i shkoi Pol Di Resta, i cili kishte zgjedhur një strategji me vetëm dy ndalesa në bokse, në kundërshtim me pjesën më të madhe të pilotëve. Ndërsa Luis Hemilton me Mercedes sigurojë vendin e 5-të pas një rivaliteti shumë të fortë një grup pilotësh që ndërruan shpesh pozicionet me njëri tjetrin, duke lënë prapa Perez, Ueber, Alonso, Rosberg e Baton.Duhet theksuar se dy pilotët e MekLaren, Perez e Baton kanë zhvilluar një duel spektakolar me parakalime të shumëfishta duke i dhënë emocione të panumërta kësaj gare. Zhgënjimi i ditës ishin makinat Ferrari. Alonso pati një defekt me sistemin DRS dhe u detyrua të hynte dy herë radhazi në bokse që në fillimin e garës, ndërsa Masa pësoi dy herë shpim gome dhe përfundoi jashtë zonës së pikëve.