Cana, lojtari më i shtrenjtë dhe më i paguar ndër shqiptarët
Portali sportiv italian "Sport Mediasset", pas një studimi të detajuar, ka publikuar listën e 500 futbollistëve që luajnë në klube të ndryshme të Europës dhe që në fund të sezonit konsiderohen alternativa të mundshme në merkaton e verës. Në këtë listë të gjerë janë përfshirë të paktën 8 lojtarë të kombëtares shqiptare, për të cilët jepen shifrat e vlerës së kartonit si dhe shumës që përfitojnë brenda një sezoni, detaje këto që u vlejnë skuadrave të interesuara për shërbimet e tyre.Kështu futbollisti kuqezi që ka vlerën më të lartë të kartonit, është Lorik Cana i Lazios, kartoni i të cilit mund të blihet për 6 milionë euro, ndërsa shuma që 29-vjeçari përfiton çdo vit është 1.7 milionë euro. Pas Canës vjen portier 24-vjeçar i Palermos, Samir Ujkani, i cili vlerësohet 3 milionë euro me një rrogë vjetore 350 mijë euro. Migjen Basha i Torinos, i ditëlindjes 1987, e ka çmimin e kartonit 1.5 milionë euro, ndërsa rroga e tij arrin shifrën 300 mijë euro në sezon. I transferuar në Janar te Katania, kartoni i Edgar Çanit vlerësohet 1 milionë euro, ndërsa përfitimi vjetor i vetë futbollistit kap shifrën e 150 mijë eurove.Për të blerë mbrojtësin e Empolit, Elseid Hysaj, duhet të paguash 900 mijë euro, ndërsa rroga e tij aktuale është 20 mijë euro në sezon deri më 2015-ën. 600 mijë Euro kushton kartoni i Jahmir Hykës, i cili përfiton 200 mijë euro në sezon te Luçerne në kampionatin zvicerian.Erjon Bogdani dhe Armando Sadiku, kontrata e të cilëve me Sienën dhe Luganon skadon në përfundim të sezonit mund të merren me parametër zero, ndërsa rroga e dy sulmuesve është 250 mijë euro për 36-vjeçarin tiranas dhe 100 mijë euro për 22-vjeçarin nga Elbasani.Ajo që vihet re në këtë listë të gjatë të lojtarve shqiptarë dhe shifrave që ata përfitojnë ose të vlefshmërisë së kartonit të tyre është se në vitet e fundit është rritur jo vetëm numri i shqiptarëve në skuadrat Europiane por edhe vlera e kartonit të tyre si dhe të ardhurat që ata përfitojnë në klubet respektive ku ata luajnë.