Guardiola ndërhyn mes Real dhe Edison Cavanit
Trajneri i ardhshëm i Bajern Mynihen, Pep Guardiola, ka ndërhyrë për të prishur planet e Real Madridit për transferimin e yllit të Napolit, Edinson Cavanit, drejt kryeqytetit spanjoll.Gjiganti spanjoll, prej kohësh është vënë në ndjekje të sulmuesit uruguaian, i cili në fund të këtij sezoni pritet të largohet nga klubi italian.Sipas raportimeve që vijnë nga mediat gjermane thuhet se tashmë në mes të këtij transferimi të mundshëm ka hyrë edhe ish trajneri i katalanasve që e sheh Kavanin si sulmuesin e duhur për të mbajtur mbi shpatulla fatet e sulmit të bavarezve në edicionin e ardhshëm, kur Pep do të marrë drejtimin e Bavarezve. Për të arritur një marrëveshje me napoletanët, drejtuesit e Bayern duhet të derdhin në arkat e presidentit De Laurentis, plot 65 milion Euro. Në rast se ky objektiv nuk arrihet, atëherë Guardiola ka gati alternativën tjetër, blerjen e sulmuesit të Borusia Dortmund, Robert Levandovski. Bomberi polak është një emër tashmë i njohur për bavarezët që edhe në merkaton e Janarit tentuan të bënin për vete kartonin e tij.Vetë lojtari është shprehur i lumtur për një kalim të mundshëm në radhët e Bajernit që po dominon futbollin gjerman, ndërsa duhet të presim për të mësuar se cila do të jetë goditja e parë që tekniku në ardhje, Guardiola, do të bëjë me marrjen e detyrës në mënyrë zyrtare si trajner i bavarezve.