Terri i kundërpërgjigjet "kunjave" të Benitez
Xhon Terri ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të radhës së Rafael Benitez se lënia në stol e kapitenit të Çelsit ka ardhur si pasojë e faktit se ai ka qenë i dëmtuar dhe jo në gjendjen më të mirë të mundshme. Vetëm një ditë më parë, spanjolli pretendoi se mbrojtësi nuk kishte pasur mundësinë të stërvitej si duhej dhe kjo ishte arsyeja pse kishte qëndruar në stol kohët e fundit."Dua të sqaroj gjërat, jam në gjendje të mirë dhe po stërvitem çdo ditë, ashtu siç ka ndodhur në tre muajt e fundit. Unë mund të luaj pa problem 2 apo edhe 3 herë brenda javës", ka sqaruar mbrojtësi anglez.Lojtari ka lënë pas dëmtimin në gju që me 12 janar, por që nga ajo periudhë është ulur plot 13 herë në stolin e rezervave. Për Benitez, kjo është pasojë e një stërvitje të çrregullt për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme."I kam thënë Territ se po të stërvitet çdo javë, do të jetë më e lehtë për ta përzgjedhur në formacion", ishte komenti i Benitez për paraqitjen e mbrojtësit pasi ky i fundit shënoi 2 gola në mesjavë në ndeshjen kundër Fullhem.