Roma kalon në finale, Inter i pafuqishëm përballë kryeqytetasve
Ëndërrat për të fituar një trofe në këtë sezon janë shuar mbrëmë për skuadrën e Interit, e cila është eliminuar në gjysëmfinalet e Kupës së Italisë nga Roma.Zikaltërit pasi kishin humbur ndeshjen e parë në Olimpiko me rezultatin 2-1, janë dorëzuar edhe në “San Siro” përballë Romës e cila ka fituar edhe ndeshjen e kthimit me rezultatin 3-2. Në atë që është cilësuar si "sezoni i mallkuar" nga vetë trajneri Stramaçioni, zikaltërit kanë treguar se nuk kanë forca të përballen me ekipet më të mira italiane, kjo është si rrjedhojë e mungesave të lojtarëve për shkak dëmtimesh apo pezullimesh.Mungesa e lojtarëve kryesorë është vënë re më së miri në ndeshjen e luajtur në "San Siro", ku zikaltërit edhe pse kaluan të parët në avantazh me Xhonatan, nuk arritën të administronin lojën, pasi falë rezultatit 2-1 në ndeshjen e parë ishin ato që kalonin turin me rregullin e golit në fushën kundërshtare.Lodhja e lojtarëve dhe moseksperienca e mjaftueshme e disa të rinjve ka bërë të vetën dhe Interi nuk ka patur forcë të reagojë ndaj Romës. Handanoviç ka shpëtuar dy herë portën në pjesën e parë, por në pjesën e dytë edhe ai nuk ka mundur të bëjë asgjë ndaj dy golave të Destro dhe një të Torosidis që kanë përmbysur rezultatin nga 1-0 në 1-3 për verdhekuqtë. Goli i Alvarez ka shërbyer vetëm për statistikën përfundimtare të humbjes 3-2, pasi Interi nuk ka pasur forcën e duhur për të reaguar dhe për të kërkuar qoftë edhe një rezultat pozitiv.Pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 5-3, Roma në finalen e Kupës së Italisë do të ndeshet me Lacion, në derbin e kryeqytetit Italian, i cili pritet të dhurojë një spektakël më vete, pasi rivaliteti historik mes këtyre dy klubeve është një histori më vete në futbollin Italian. Ndërkohë, duhet theksuar se te Interi tashmë kanë filluar edhe kontestimet e tifozëve, të cilët kanë dalë hapur kundër drejtuesve me parullat që kanë shpalosur në stadium.