Ambasada izraelite feston 65-vjetorin e pavarësisë së shtetit
Aroma e festës së 65 vjetorit të pavarësisë së shtetit të Izraelit mbërrin edhe në Tiranë.Për të shënuar këtë ditë historike, ambasada e Izraelit ka qenë mikëpritëse e personaliteteve më të larta shqiptare, në një ceremoni kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm për shtetin izraelit.Presidenti Bujar Nishani, deputetë, ambasadorë dhe personalitete të tjera janë bërë pjesë e këtij eventi, për të vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të vendosura në shtratin e një miqësie historike dhe tradicionale ndërmjet dy popujve tanë.Presidenti i republikës, Bujar Nishani, veçoi në fjalën e tij, mbrojtjen e hebrenjve nga populli shqiptar gjatë gjysmëshekullit të parë të shekullit të shkuar.Kreu i shtetit kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit, dhe njëherësh kërkoi që Izraeli e Palestina të punojnë për arritjen e paqes mes tyre."Ky përvjetor përkujton fundin e vuajtjeve disashekullore të popullit hebre, veçanërisht pas katastrofës së Holokaustit, kohë kur populli shqiptar u përfshi në mbrojtjen e hebrenjve gjatë gjysmëshekullit të parë të shekullit të shkuar. Konstatoj me shumë kënaqësi se, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, vendosur në shtratin e një miqësie historike dhe tradicionale ndërmjet dy popujve tanë, janë zgjeruar dhe intensifikuar ndjeshëm. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se, populli shqiptar ushqen ndjenja miqësore edhe ndaj popullit palestinez. Për këtë arsye dhe, për hir të paqes e stabilitetit, jemi për një Palestinë të aftë e funksionale dhe për një Izrael të sigurt. Në këtë kontekst, urojmë që palët e përfshira të përfitojnë nga ky moment i angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit dhe të krijojnë kushtet e nevojshme për t'i dhënë paqes një mundësi, nëpërmjet rifillimit të bisedimeve për arritjen e një zgjidhjeje në të mirën e popullit palestinez dhe të popullit izraelit" tha presidenti.Edhe ambasadori i Izraleit në Tiranë David Kohen vlerësoi ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Shqipëri-Izrael."Sfidat e shtetit të Izraelit që nga pavarësia janë të mëdha. Ajo çfarë është arritur në këto 65 vite është vendosja e një demokracie solide.“Unë jam i lumtur të ndjej çdo ditë miqësinë e shqiptarëve ndaj vendit tim dhe hebrenjve . Kjo provon edhe një herë se ajo miqësi e ngritur që nga koha që shqiptarët mbrojtën hebrenjtë, vijon sërish e fortë" tha ambasadori.Për të shënuar këtë eveniment, kjo ditë e rëndësishme u zgjodh edhe për inagurimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael në Tiranë, e cila krijon mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.