Kuvendi diskuton për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së

Parlamenti ka nisur diskutimet për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në Komision Qendor të Zgjedhjeve.Seanca e Kuvendit është shoqëruar me akuza dhe kundër akuza nga të dyja palët për tentativë për të manipuluar zgjedhjet e 23 qershorit.Në nisje të seancës, Deputeti Gent Strazimiri lexoi relacionin e demokratëve ndërsa theksoi se kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane plotësojnë të gjitha kushtet e parashtruara në ligj.Ndërsa deputeti Edi Paloka u shpreh se largimi i Muhos nga KQZ-ja bën të mundur barazpeshën e institucionit të administrimit të zgjedhjeve. Sipas tij, shkarkimi i Ilirjan Muhos nuk është çështje që lidhet drejtpërdrejt me të, por me nevojën për të shkuar në zgjedhje me një KQZ të balancuar, me 3 anëtarë të opozitës dhe 3 të maxhorancës.Ndërsa deputeti i PS-së Damian Gjiknuri e ka cilësuar nismën e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së  jo vetëm të paligjshëm e antikushtetues, por edhe plot absurditete.“Ështe absurditet, qëllimi është të paralizohet KQZ. Berisha ka përbetuar veten se KQZ është e pavarur, sot po del qartë qëllimi i tij për të kontrolluar çdo institucion, ai nuk bën dot zgjedhje pa pasur kontroll total të KQZ” tha Gjiknuri.Ndërsa ka deklaruar se zgjedhjet ndodhen në rrezik, deputeti Gjiknuri ka akuzuar kryeministrin Berisha se po kërkon të manipulojë zgjedhjet"Berisha do të zbatojë pikë për pikë skemën që zbatoi me zgjedhjet në Tiranë. Ai nuk pyet as për këshillat e Brukselit e as të Washingtonit. Ju po krijoni precedentin më të rrezikshëm që ku vend mund të shkarkojë çdo individ që është miratuar me votë” tha Gjiknuri.Ndërsa deputeti Namik Dokle ka theksuar në fjalën e tij se problemi i Shqipërisë janë korbat e zinj që u janë sulur institucioneve të pavarura”.Ai ka bërë apel të mos lejohet të shkelet pavarësia e institucioneve. “Problemi i PD është gjithmonë se si të vjedhë votat,” tha Dokle.Ndërsa deputeti i PD-së Edi Paloka akuzoi kryetarin e PS-së se po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë. “Edi Rama e di shumë mirë që nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën. Rama e di shumë mirë që në fund fare do t’ia gjejë Berisha dhe do ta mundi prap. Për këtë arsye kthehet tek ëndrra e tij, të marrë pushtet në tavolinë. Gjithë këto kohë ka kërkuar të marri pushtetin në tavolinë, i erdhi rasti të ketë kontrollin e komisioneve dhe të realizojë këtë ëndërr. Shpresa e tij vazhdon të mbetet manipulimi, por ta harrojë” theksoi Paloka.Mazhoranca ka çuar në seancë për votim dy emra të propozuar nga Partia Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kundërshtuar këtë lëvizje të Partisë Demokratike.