Rama: Mbështetje Kosovës për vizat dhe njohjet
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar sot në Prishtinë programin e Rilindjes.Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama është shprehur se pas 23 qershorit PS-ja do ta mbështesë Kosovën që të njihet edhe nga 5 vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur. “Pas 23 qershorit duam të japim shpejtësi të re anëtarësimit në BE, por të mbështesim Kosovës për vizat, 5 njohjet e mbetura pezull. Kosova nuk duhet të paguajë çmimin e azilkërkuesve serbë e maqedonas, ata nuk e meritojnë të qëndrojnë të izoluar nga bota” tha Rama.Kryesocialisti Rama ka premtuar një politikë të re dhe zgjerim të marrëdhënieve në mbështetje të Kosovës dhe Shqipërisë.“Shqipëria evropiane per ne është gjenerator i bashkëpunimit rajonal. Për ne një Shqipëri evropiane, do të thotë kalimi nga një qasje e përgjithshme në momente të rëndësishme, në një politikë të jashtme aktive me fuqi normative, ne do ti japim jetë një politike progresiste në bashkëpunimin rajonal ” tha Rama.Rama iu referua sërish deklaratave nacionaliste duke theksuar se retorika të tilla duhet t`i lihen së kaluarës dhe vëmendja duhet të përqëndrohet drejt së ardhmes.“Që ditën e parë do të nisim punën për një marrëveshje kuadër me vendet e rajonit për mbrojtjen e pakicave në dritën e standardeve evropiane. Ato si ura mes shteteve të Ballkanit dhe jo si hendeqe brenda vendeve, mbi hartën etnike që nuk përputhet me atë territoriale. Harta duhet të mbushet me urat e së ardhmes, që kapërcejnë vizionin e së shkuarës. Ne refuzojme sot dhe pas 23 qershorit do t`ia lëmë arkivave retorikën e vjetër nacionaliste që ka përfshirë edhe qeverinë tonë që tenton të mbulojë dështimet duke u shfaqur si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon” shtoi Rama.Sipas tij, në esencë bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka ndodhur. “Çdo të thotë të bashkohemi me BE-në? Në BE, bashkimin ta realizojmë si projekt brenda Bashkimit Europian dhe do të thotë që sot të kemi sytë për të parë se në esencë bashkimi si një fuqi që na jep mundësi të shohim ndryshe të gjitha fushat e jetës së përbashkët ka ndodhur” tha Ram, duke shtuar se bashkimi doganor është gjeja më e mirë që mund të ndodhë.Gjithashtu kryesocialisti premtoi gjithashtu se pas 23 qershorit do të nënshkruhet edhe traktati i miqësisë me Kosovën që Shqipëria ende nuk e ka.“Pas 23 qershorit Kosova do të ketë rolin e partnerit dhe aleatit strategjik në politikën rajonale të Shqipërisë. Shqipëria ka një traktat të miqësisë me Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë dhe Greqinë por jo me Kosovën. Ne do të punojmë për të nënshkruar traktatin e miqësisë dhe sigurisë me Kosovën sepse ne e çmojmë këtë traktat si të domosdoshëm për në rrafshin strategjik për shqiptarët në rajon” tha Rama.