Ndërkombëtarët "zbarkojnë" në Tiranë, nesër vjen Ashton, takohet me Nishanin, Berishën e Ramën

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri dhe klimës politike të nxehtë mes partive, kjo javë do të jetë një javë e ngarkuar me vizita të faktorit ndërkombëtar.Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton gjatë turit të saj Ballkanin do të qëndrojë të martën në Shqipëri, ku do të takohet me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

 Vizita e parë e Ashtonit do të jetë Podgorica, ku vetëm një javë më parë Mali i Zi mbylli zgjedhjet  e përgjithshme, ndërsa më pas do të qëndrojë në Tiranë dhe Shkup. Qëllimi i kësaj vizite është konfirmimi i shteteve të rajonit për perspektivën evropiane.

"Unë udhëtoj drejt vendeve të ballkanit perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për prespektivën europiane në rajon. Unë do të inkurajoj udhëheqësit e rajonit për të vazhduar procesin e reformave dhe promovimin e marrëdhënieve  të fqinjësisë së mirë" thuhët në  një deklaratë nga zyra e Ashton. Ende nuk dihet nëse ajo do të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin pas dështimit të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.Ndërkohë të mërkurën  Tiranën do ta vizitojë edhe diplomati amerikan, Jonathan Moore së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.Moore është drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit.  Nga ana tjetër  sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit  Evans dhe Petrenco  do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare.Bisedime do të zhvillohen gjithashtu edhe me delegacionin e përhershëm të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me lider të partive politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.Diskutimet do të fokusohen në veçanti në përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare, progresit të bërë nga Shqipëria përsa i përket kërkesës për marrjen e vendit kandidat në Bashkimin Europian, reformën në autoritetin rregullator të medias dhe çështje të minoritetit.