Kuvendi voton sot për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së
Parlamenti pritet të përfshihet sot nga debate të forta për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në Komision Qendor të Zgjedhjeve.Mazhoranca ka çuar në seancë për votim dy emra të propozuar nga Partia Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kundërshtuar këtë lëvizje të Partisë Demokratike.Në arsyetimin e saj për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së Ilirjan Muho, Partia Demokratike thekson se në KQZ është krijuar “një situate paligjshmërie e cila sipas saj dërrmon shtyllën kurrizore të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve”. Për demokratët “kodi bazohet në një parim themelor, atë të barazpeshimit politik, i cili vlerësojnë ata është themeli i kompozimit të KQZ, por edhe i komisioneve zonale, atyre të qendrave të votimit apo dhe grupnumërimeve”.I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i palës tjetër. Opozita foli për ditë të tëra për një veprim antikushtetues që rrezikon të destabilizojë procesin zgjedhor. “Një veprim prej diversantësh”, e cilësoi kryetari i LSI Ilir Meta, të enjten e kaluar kur ishte planifikuar fillimisht votimi për këtë cështje. “Shumica po përdoret si kamikaz për të hedhur në erë KQZ-n dhe të drejtën e shqiptarëve për të votuar të lirë”, u shpreh nga ana tjetër kryetari socialist Edi Rama, sipas të cilit “në asnjë rast dhe për asnjë arsye opozita nuk do të hyjë në diskutime për ndryshimin e përbërjes së KQZ”.Ndërsa ndërkombëtarët kanë qenë thuajse në të njëjtën linjë kur kanë theksuar faktin se anëtarët e KQZ-së janë apolitikë.Në deklaratën e saj ambasada amerikanë në Tiranë u shpreh se “për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së - të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor - konsiderohen se janë apolitikë”. Edhe zëdhënësi i komisionerit europian për Zgjerimin Stefan Fyle, ju përmbajt pothuajse të njëjtës linjë e po ashtu edhe ambasadori i OSBE-së Eugen Ëollfarth sipas të cilit nevojiteshin shpjegim mbi bazën ligjore të ndryshimit të propozuar.Ndërkaq të djathtët duhet të zgjidhin edhe problemin e numrave në sallë. Pa LSI-në rrezikohen votat e nevojshme, dhe shpëtimi i vetëm mbetet të jenë tre deputetët socialist që tanimë i janë larguar grupit të tyre të cilët e ndihmuan kryeministrin edhe javën e shkuar kur kaluan kandidaturat e ministrave të rinj.Kalimi dy javë më parë, i Lëvizjes socialiste për integrim, në opozitë përmbysi raportet në Komision. Zoti Ilirjan Muho ishte propozuar nga LSI, në kohën kur kjo forcë ishte pjesë e shumicës qeverisëse. Tani nga 7 anëtarë, katër janë të propozuar nga opozita. Dhe nëse kjo përbërje mbetet e tillë edhe në Komisionet zonale e shtrihet edhe në ato të votimit, praktikisht e majta do të ketë shumicën në të gjitha hallkat e administrimit të procesit.