Rama në Durrës: Ekonomia në kërcënim, Berisha turist i sapozbritur
Ndërsa ka prezantuar programin e PS për një Rilindje shqiptare në Durrës, kreu i selisë rozë Edi Rama ka lëshuar alarmin për një kërcënim serioz të ekonomisë së vendit nga kriza e Eurozonës. Duke iu referuar të raportit të të dhënave të Bankës së Shqipërisë, tha se nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe për mbrojtjen e tyre ai shprehu vullnetin për të gjetur rrugën e bashkëpunimit edhe me palën tjetër. Kryesocialisti Rama renditi edhe arsyet sipas tij, të rënies ekonomike, ndërsa akuzoi qeverinë për moskompensimin e të ardhurave të munguara me të ardhura të tjera."Sot pranohet zyrtarisht se 2012 ka pasur rritjen më të vogël ekonomike që prej 2007. BSH pohon se fuqia blerëse ka rënë 10%, për shkak se pagat kanë rënë me 10%. Tendenca rënëse vazhdon edhe në dy muajt e parë të 2013, jemi në kushtet e fundosjes se të ardhurat nga emigrantët, burimi kryesor në vend, vazhdojnë të tkurren. Janë 430 mln dollarë më pak se në 2007, që i mungojnë ekonomisë dhe sjanë kompensuar me të ardhura të tjera. Është përgjegjësi e qeverisë që ta kompensojë me të ardhura të tjera. Rënia e remitancave, evazioni fiskal, korrupsioni, ku mund të shkojë Shqipëria me këtë pushtet edhe katër vite të tjera vetëm në rrugën e rrënimit dhe dështimit. Nëse sot nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitata e qytetarëve shqiptarë, jemi të vendosur të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe me palën tjetër për të garantuar financat e vendit. Ja ku erdhëm pra, i kemi paralajmëruar që të gjitha këto, kemi bërë parashikimet e përshkallëzimit të krizës, aq sa edhe institucionet ndërkombëtare kanë ardhur afër parashikimeve tona.Ne na duhet një politikë punësimi real, e bazuar në një plan punësimi të detajuar për të krijuar mundësitë për 300 000 vende pune në katër vitet e ardhshme" tha Rama.Duke iu referuar takimeve të Berishës në kuadër të hartimit të programit të PD-së, Rama ironizoi Kryeministrin duke e cilësuar si një turist të sapozbritur në Shqipëri që po zbulon vendin. Por sipas Ramës, rezultati i këtyre takimeve është një konfuzion dhe një propagandë që nuk rri dot më në këmbë, sepse shifrat kundërshtojnë njëra- tjetrën."Dje në konventën e tyre u thanë disa gjëra shumë interesante se në fakt me partinë familjare me në krye Saliun fshati s`ka asnjë shans të dalë nga rrënimi. U tha se janë shpenzuar 5 milionë dollarë, që i bie 22 dollarë për familje dhe 1 litër naftë në muaj. U tha një gjë tjetër se tashmë partia e Kryeministrit të vetmuar nuk ka një program edhe pas kopjimit të programit tonë. Dhamë projektin për heqjen eTVSH, u rrëzua në parlament, doli në treg si ide pasi u mor nga program ynë dhe vetëm dje u tha se biznesi ka problem me heqjen eTVSH për makineritë. Në shtator 2009, Saliu tha se në 2013 fshatrat e vendit do të llamburisin njëlloj si në lagjet e cdo qyteti, kanë kaluar katër vjet nga premtimi dhe bëhet sërish i njëjti premtim. Berisha po shfaqet si një turist nëpër Shqipëri që po njeh më në fund vendin që kaqeverisur për 8 vjet me radhë. Le ti lëmë në rrugën e tyre të vetmisë së madhe" shtoi Rama. Ndërkaq duke u fokusuar në zhvillimin e Durrësit, ai vlerësoi se Bashkia e këtij qyteti është një laborator projektesh për tu laboruar dhe studiuar menjëherë pas 23 qershorit, për ti dhënë fund sipas tij bllokimit verbal të projekteve.