PS: Berisha dështoi me fshatin, Harito: Nuk do arrijë përfitime nga takime të stisura
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka gënjyer dhe braktisur më shumë se këdo tjetër, fshatin. Në një dalje për mediat, anëtarja e grupit të punës për programin e PS, Milena Harito, i vlerësoi të dështuara takimet e Kryeministrit me fermerët dhe programin e shpalosur për bujqësinë, që sipas saj shumë mirë do të përmblidheshin në moton "Zgjedhje të reja, gënjeshtra të vjetra"."Sali Berisha më shumë se këdo tjetër, ka gënjyer e ka braktisur fshatin. Mjerimi ka kapluar fshatin shqiptar, ku njerëzit e braktisur nga shteti mundohen të mbijetojnë si në mesjetë. Në fjalën e tij të djeshme kishte një premtim të marrë `fjalë për fjalë` nga fjalimi i tij në Parlament, mbajtur në vitin 2009 gjatë prezantimit të programit qeverisës. Për t`i rifreskuar memorien kryeministrit sklerotik po i kujtojmë sesi të njëjtin premtim të 2009 e rilexoi dje, me moton : zgjedhje të reja - gënjeshtra të vjetra. Në 16 Shator 2009 në fjalën e programit qeverisës tha: "Qëllimi i gjithë kësaj është që në vitin 2013 fshatrat e këtij vendi të llamburitin njëlloj si lagjet e qyteteve të Shqipërisë." Dje në konventë tha: "në katër vitet që vijnë, çdo fshat shqiptar do të llamburitë nga dritat, njëlloj si lagjet e qyteteve tona."Sali Berisha dështoi me çështjen e pronës, çështje e cila ka mbetur e pazgjidhur. Dëshpërimi i fermerëve ka mbërritur në pikën sa dhe ne takimet e stisura me ta, nuk ka vend që të mos ia përmendin"tha ajo.Harito theksoi më tej se shfaqja e djeshme në "Konventën për zhvillimin rural" e Partisë Demokratike, ishte jo vetëm e turpshme dhe me riciklime të turpshme premtimesh, por dhe një tallje dhe ofendim për çdo fermer shqiptar."Infrastruktura në fshat lë për të dëshiruar. Shkodër, Lezhë, Korçë, Lushnjë, zonat më prodhuese të vendit mbyten disa herë në vit, duke treguar qartë se edhe ato pak shpenzime, nuk kanë shkuar për infrastrukturën, por në xhepat e klientëve të qeverisë. Shumica e fermave në vend, afërsisht 65% e tyre, nuk arrijnë të shesin prodhimet në tregun shqiptar. Në programin e vitit 2009, qeveria premtonte dyfishimin e produktit bujqësor, por krahasuar me vitin 2005 ka rënie të numrit të gjedhëve,të të imtave, e derrave, ndërsa numri i deleve është në njëjtin nivel. Fermerët përballen me kosto marramendëse të aktiviteteve ekonomikë në bujqësi e blegtori. Politikat për rritjen e referencave të importit kanë çuar në rritjen e çmimeve të lëndëve të para ushqimore.Pas pesë vitesh zbatim, skema e rimbursimit me 6% të TVSH-së për shitjen e produkteve bujqësore nuk ka dhënë asnjë rezultat. Dështim tjetër industria e detit, asnjë lloj përmirësimi, por përkeqësim të gjendjes në këtë sektor.Sali Berisha premtoi heqjen e akcizës së naftës, dhe naftë me 60 lekë. Sot çmimi i naftës është tre herë më i shtrenjtë se në vitin 2005, dhe Sali Berisha iu merr fermerëve 80 lekë vetëm si akcizë. U premtua se "pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit", por sot ato vazhdojnë të jenë sa gjysma e tyre" shtoi ajo.Partia Socialiste garantoi se me ardhjen në pushtet do të pesëfishojë financimin publik për zhvillimin rural."Ne angazhohemi për t`i dhënë kujdes prioritar dhe të vazhdueshëm bujqësisë. Ne do të krijojmë mundësi që fermerët shqiptarë të përfitojnë realisht nga avantazhet konkurruese që disponon bujqësia e vendit tonë, si: toka pjellore, burimet e shumta ujore, numri i madh i ditëve me diell dhe mundësia për të nxjerrë në treg produktet shqiptare përpara konkurrentëve fqinjë" përfundoi Harito.