Real Madrid, ofertë për Sergio Agueron
Goli që vendosi derbin me Manchester United nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rindezur interesin e Florentino Perez për Sergio Agueron. Real Madrid pritet që të bëjë një ofertë të çmendur për asin argjentinas të City-t gjatë merkatos së verës, por jo vetëm. Madrilenët do tentojnë të matin pulsin e kampionëve të Anglisë me një ofertë të parë prej 45 milionë eurosh. Nëse sheikët do ta refuzojnë, ashtu siç ka shumë gjasa për të ndodhur, atëherë "galaktikët" do rikthehen me një tjetër ofertë.Por Roberto Mançini i ka marrë masat për të mbrojtur një prej lojtarëve më të mirë të tij. Ai u ka kërkuar sheikëve rinovimin e menjëhershëm me sulmuesin 24-vjeçar. Aguero aktualisht përfiton 200 mijë euro në javë dhe do t'i ofrohet rinovimi edhe për dy sezone të tjera mbi kontratën që skadon pas 3 vitesh."Kun" firmosi një kontratë 5- vjeçare në verën e vitit 2011 kur erdhi nga Atletico. Rroga e tij do të jetë e pandryshueshme, por do të ketë një rritje të konsiderueshme në bonuse.Në "Santiago Bernabeu" drejtuesit janë vënë prej kohësh në lëvizje, pasi në merkaton e verës përfliten largimet e mundshme të Gonzalo Higuain (për të cilin ka interes në Angli dhe Itali), por edhe argjentinasit tjetër Angel Di Maria (ka shfaqur interes United dhe PSG).