Real Madrid, 105 milion euro për Beil e Aguero
Real Madrid ka vënë si objektiv të merkatos për sezonin ardhshëm, dy futbollistë shumë të njohur nga kampionati anglez, Garet Beil dhe Serxhio Aguero. Lajmi bëhet i ditur nga mediat angleze të cilat janë të sigurta se vitin tjetër, të dy këto lojtarë do të veshin fanellën e bardhë të madrilenëve.Reali është gati të paguajë 60 milion euro për futbollistin e Totenhem, i cili ka shpërthyer në këtë sezon duke u kthyer në një nga mesfushorët e majtë më të mirë në qarkullim, ndërsa argjentinasi i Mançester Sitit, pritet të kushtojë rreth 45 milion euro.Në total, shpenzimi kalon shifrën e 105 milion eurove për blerjen e këtyre dy lojtarëve, të cilët nga sondazhet e zhvilluara gjatë këtij sezoni, janë të preferuarit e publikut madrilen, sidomos Beil i cili shihet si Kristiano Ronaldo i ri.Kuptohet që për të siguruar shuma të tilla, Reali duhet të bëjë sakrifica sportive dhe ekonomike. Ndaj pritet që nga klubi të largohen dy lojtarë për t'i bërë vendin të rinjve. I pari është Higuain, i cili ka më shumë kërkesa dhe më shumë treg sesa Benzema, ndaj pritet t'i japë lamtumirën skuadrës në verë, për t'i lënë vendin Agueros në repartin e avancuar.Emri i dytë është ai i një tjetër argjentinasi, Angel Di Maria, i cili ka kaluar një sezon me ulje-ngritje dhe kjo ka shtyrë klubin që të shohë për sistemimin e tij në ndonjë skuadër tjetër, me Mançester Junajtid që duket më i interesuar për futbollistin.