Derbi Roma-Lazio pa fitues

Roma dhe Lazio kanë ndarë nga një pikë të merituar në barazimin 1-1 në ndeshjen që mbylli javën e 31-të të Serisë A. Në një përballje mjaft të luftuar, nuk kanë munguar emocionet dhe spektakli që vetëm një derbi si ai i kryeqytetit mund të dhurojë.  Ashtu si në ndeshjen e fazes së parë e cila pati shenja të larta nervozizmi, edhe mbrëmë derbi i kryeqytetit nuk iu shmang këtyre trazirave.Kanë qenë Lazio që ka kaluar në avantazh me anë të brazilianit Hernanes, i cili ka mposhtur Stekelenburg me një gjuajtje nga distanca. Më pas, Lazio ka arritur të kontrollojë me qetësi sulmet e  kundërshtarve, falë edhe një paraqitje shumë të mirë në fazën mbrojtëse ku ka spikatur kapiteni i kombëtares tonë Lorik Cana, i kthyer tashmë në një mbrojtës të mirëfilltë dhe lider te bardhekaltrit.Lazio kishte mundësinë të mbyllte ndeshjen në fillimin e pjesës së dytë, pas një 11-metërshi të akorduar pasi Markinjo preku topin me dorë. Por Hernanes gabon në mënyrë të pabesueshme nga pika e bardhë, duke i dhënë mundësinë Romës të marrë frymë lirisht dhe të gjejë golin e barazimit me anë të kapitenit legjendarë Françesko Toti. Hernanes pasi humb penaltin dëmton rëndë ekipin e tij pak minuta më vonë duke shkaktuar 11-metërsh ndaj Pjaniç, ndërsa Toti i tregon se si gjuhet penalltia, duke realizuar para Marketit për të vënë barazpeshën e takimit.Emocionet e derbit vazhdojnë me një karton të kuq të diskutueshëm ndaj Biavas dhe me Lamelën që humb mundësinë për t'u bërë heroi i Romës, duke gabuar në mënyrë të pabesueshme pak metra larg portës. Kështu takimi mbyllet 1-1, duke lënë Lacion 7 pikë larg Milanit të vendit të tretë dhe Romën që ndjek "kushërinjtë" me 3 pikë diferencë.