Barcelona në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve
Barcelona ka treguar përsëri se pa Lionel Mesin nuk është një skuadër e pandalshme. Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj PSZH është nevojitur hyrja në fushë e argjentinasit që të zgjidhte telashet e katalanasve, të cilët gjendeshin në disavantazh dhe rrezikonin eliminimin, pasi ai u bë protagonist në golin e barazimit përfundimtar 1-1 që kualifikoi skuadrën e tij edhe pse i dëmtuar dhe dukshëm jo në gjendjen e tij më të mirë fizike.PSZH nuk kishte çfarë të humbte në "Kamp Nou", duke pasur parasysh ndeshjen e parë të përfunduar në barazim 2-2 në Francë. Ndaj Ançeloti kishte udhëzuar skuadrën e tij të sulmonte katalanasit, të cilëve u mungonte pika e referimit, Lionel Mesi, i lënë në pankinë nga Vilanova. Pedro dhe Iniesta provojnë disa herë të gjejnë të çara në mbrojtjen e francezëve, por edhe kur ia arrijnë qëllimit, gjejnë të gatshëm Sirigu. Por nga ana tjetër, edhe Valdes duhet të shpalosë disa devijime instinkti, sidomos pas gjuajtjeve të Lavecit apo Moura, që provojnë disa herë portën.Në pjesën e dytë pritet një zgjim i Barcelonës, e cila po rrezikonte shumë, por në fakt është PSZH që insiston dhe arrin të gjejë golin e avantazhit, pas një kombinimi Ibrahimoviç-Pastore, me këtë të fundit që dërgon topin në rrjetë pas një dalje jo shumë të mirë të Valdes.Në "Kamp Nou" pllakos heshtja pasi ky rezultat eliminonte Barcelonën. Por Vilanova e kupton se nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë Mesin e dëmtuar. Argjentinasit i mjaftojnë pak minuta për t'u bërë protagonist, pasi nis aksionin e golit të barazimit të katalanasve, me autor Pedron.Vendasit marrin frymë qetësisht dhe rivendosin superioritetin në mesfushë, duke pasur tashmë argjentinasin si një pikë pasimi, ndërsa janë më të qetë në kontrollin e topit deri në vërshëllimën finale, që dekreton kalimin e tyre në gjysmëfinalet e turneut.Megjithatë, ndeshja ka treguar se tashmë katalanasit duhet të mendojnë vetëm si të kthejnë në formën më të mirë fizike Mesin, pasi pa të në fushë, nuk janë të frikshëm, sidomos për skuadra të mëdha si Reali, Borusia apo Bajerni që do të takojnë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.