LSI: Jemi pro zgjidhjes së çështjes çame

Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur pro zgjidhjes së çështjes çame në përputhje ne të gjitha konventat e të drejtave të njeriut.Kështu është shprehur Sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama në një konferencë për shtyp i pyetur në lidhje me rezolutën çame.

“Në vlerësimin tim dhe në vlerësimin tonë çështja çame është një çështje e rëndësishme që lidhet me çështjen shqiptare në Ballkan nga njëra anë. Nga ana tjetër qëndrimi ynë ka qenë i përcaktuar qartë që në themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim pro zgjidhjes së kësaj çështjeje në përputhje me të gjitha dokumentet evropiane që rregullojnë çështje të tilla. Madje këtë qëndrim ne e kemi bërë të njohur në mënyrë institucionale sa herë që ka qenë e rastit shumë më herët, që kur z. Meta ka qenë Kryeministër i Shqipërisë ashtu sikundër z. Meta e ka artikuluar qëndrimin tonë pro çështjes çame apo pro çështjes shqiptare të Çamërisë edhe në të gjitha takimet me partnerët ndërkombëtarë. Qëndrimi i z. Panariti në cilësinë e ministrit të Jashtëm është gjithashtu konfirmim i të njëjtit qëndrim të pandryshuar dhe ndaj të cilit ne jemi konsistent dhe të vendosur të kontribuojmë maksimalisht për zgjidhjen e drejtë dhe në përputhje me interesat evropiane edhe të qytetarëve shqiptarë nga Çamëria” tha Luan Rama.

I pyetur për konfigurimin në KQZ-së, pas aleancës PS-LSI, Luan Rama ka theksuar se ky është një problem ligjor e kushtetues.“Për konfigurimin apo raportet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky është një problem ligjor, kushtetues dhe ne do t’i qëndrojmë asaj frymë të artikuluar edhe në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga Kryeministri Berisha, që Kushtetuta i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt dhe në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe me të gjitha aktet që normojnë të gjithë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore. Ne do të ecim më tej me synimin dhe me përgjegjësinë, jo se kush merr thelën apo kush ka në dorë bilbilin por me përkushtimin që të realizojmë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, transparent, në përputhje me standardet evropiane që edhe Shqipëria më në fund në zgjedhjet e 23 qershorit të fitojë të ardhmen e vet evropiane duke realizuar zgjedhje në përputhje me standardet evropiane” tha Luan Rama.I pyetur në lidhje me zëvendësimin e përfaqësuesve të LSI-së nga postet politike, Luan Rama ka theksuar punonjësit e  administratës do të vazhdojnë t’i shërbejnë qytetarit.“Ne kemi reflektuar duke tërhequr nga pozicionet politike, pra nga pozicionet e përfaqësimit politik, përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim  për t'i hapur rrugën ecurisë së mëtejme të qeverisjes dhe konfigurimit real dhe në përputhje me të gjitha angazhimet tona të Lëvizjes Socialiste për Integrim si forcë politike në opozitë tashmë. Përsa i përket punonjësve të tjerë në administratën publike, ata janë punonjës të zgjedhur në përputhje me ligjin civil në Republikën e Shqipërisë. Vetë kryeministri Berisha ka theksuar që punonjësit e administratës janë punonjës të shtetit, ka theksuar domosdoshmërinë e respektimit të kontratës së punës së tyre në raport me Kodin  e Punës dhe me Ligjin e Shërbimit Civil dhe nga kjo pikëpamje çdo qëndrim tjetër jashtë kësaj fryme, bie ndesh me parimet për të cilat është investuar edhe koalicioni qeverisës gjatë këtyre katër viteve, në përbërje të së cilës ka qenë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim” është shprehur Luana Rama.

I pyetur nëse ka një marrëveshje konkrete mes PS-së dhe LSI-së, Luan Rama është shprehur se çdo gjë është në stadin e ftesës dhe të pranimit të saj dhe nëse do të ketë një marrëveshje të tillë mes dy liderëve kryesorë të së majtës kjo do të bëhet transparente për mediat.