Kryeministri Berisha shpreh pikëllimin për vdekjen e Margaret Thatcher

Me anë të një mesazhi, Kryeministri Berisha shprehu sot pikëllimin për ndarjen nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha shprehet:“Lajmi i ndarjes nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më  pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse më të shquara të të gjitha  kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi “Zonjën e hekurt”, legjendë e gjallë e vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm  i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë.Shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë. Në memorien  time mbetet gjithnjë i paharruar dhe i gjallë takimi i parë me ish Kryeministren Thatcher, në Blackpool. Kisha vetëm  3-4 muaj në politikë dhe në audiencën që më akordoi, pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar.”