Fullani: Rritje ekonomike të ngadaltë gjatë 2013-ës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 9 Prill 2013, 11:04
Rritja ekonomike gjatë 2012 ka qenë e ngadaltë si pasojë e krizës ekonomike dhe pritet të vijoj në këtë mënyrë edhe gjatë këtij viti. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e deklaroi këtë fakt gjatë raportimit në komisionin e ekonomisë dhe të financave. Kreu i Bankës Qendrore deklaroi se sfida kryesore për këtë vit mbetet rritja e kreditimit dhe për këtë përsëriti apelin për miratimin e paketës me masa ditën e enjte.“Viti 2012 ka qënë një vit i vështirë ekonomik dhe moti i keq reflektoi në uljen e eksporteve. Gjatë këtij viti ka pasur rritje të vogël e pagave e cila ka reflektuar edhe në rritje të çmimeve. Rritja ekonomike ka qenë e ngadaltë, pati ulje të konsumit dhe të investimeve. Kjo situatë do të vijojë edhe gjatë këtij viti dhe papunësia do të jetë e njëjtë si vitin e kaluar në nivelin 13.3%. Deficiti buxhetor u ul si pasojë e uljes së shpenzimeve. Janë rritur kreditë me probleme nga 18 deri në 22 %”. Integrimi i vendit me rëndësi për ekonominë, por sjell edhe sfida. Sistemi financiar duhet të jetë i qëndrueshëm dhe për të arritur këtë duhet të ketë konsensus politik. Gjithashtu duhet reformuar sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe financiare” ka shtuar më tej Fullani.Ndërkohë që shifrat e rritjes ekonomike shkaktuan diskutime në komision pasi nënkryetarja Mimi Kodheli u shpreh se ato nuk janë të njëjta me të qeverisë.
“Bode ka pretenduar për një rritje ekonomike prej 4.3 %, BSH deklaron një rritje vetëm 1.6 %. Banka e Shqipërisë thotë që punësimi nuk është rritur, kurse qeveria pretendon të kundërtën” theksuan deputetët e PS-së.
Ndërsa guvernatori Fullani është shprehur se BSH-ja ka qenë e kujdeshme në lidhje me parashikimet e rritjes ekonomike. Sipas tij Banka e Shqipërisë konsultohet edhe me qeverinë ndërsa ka shtuar se ka ende mundësi për vlerësime më të sakta.
Një tjetër problem që ngriti opozita ka qenë edhe shlyerja e borxheve që i ka qeveria bizneseve. Deputeti Arben Malaj u shpreh se këto borxhe po trashëgohen.Guvernatori deklaroi ndër të tjera se rritja e nivelit të kredive të këqia është një fenomen global po se ky nuk është problem më emergjent për ekonominë shqiptare.