Çështja çame, Idrizi:Propozimi i PS-së zhbllokon impasin që është krijuar

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet la vlerësuar propozimin e Partisë Socialiste për një rezolutë alternative për zgjidhjen e çështjes çame.Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh në një konferencë për shtyp se ky propozim që vjen nga Partia Socialiste zhbllokon impasin që ishte krijuar brenda komisionit të jashtëm në procesin e miratimit të rezolutës së çështjes çame nga parlamenti shqiptar dhe vëmë në dukje tre momente që shkojnë në të njëjtën gjatësi vale me projektin tonë."Ne përshëndesim hapjen e liderit të opozitës ndaj çështjes çame dhe konfirmimin se PS nuk e ka përfshirë në programin e saj këtë çështje thjesht për ta lënë në letër. Pikësëpari theksohej se baza e zgjidhjes së çështjes çame është e drejta ndërkombëtare, marrëdhënia e mbështetur në fqinjësinë e mirë dhe Traktatin e Miqësisë. Ne ndajmë pa asnjë ngurrim me te gjitha forcat politike bindjen, se fqinjësia e mirë mes popullit grek e atij shqiptar janë dy vlera te patjetërsueshme per paqen, stabilitetin, prosperitetin e të dy  popujve si edhe të vetë rajonit dhe se miratimi i rezolutës është një hap i fuqishëm në këtë drejtim" ka theksuar Idrizi. Ai ka theksuar më tej se në projektin e PDIU-së kërkohet heqja e Ligjit të Luftës dhe nxjerrim në pah dhe faktin e provuar botërisht se kombi shqiptar dhe ai grek e kanë luftuar fashizmin siç është vërtetuar nga konferencat ndërkombëtare të pasluftës dhe se popullsia çame në mënyrë të natyrshme ka qenë pjesë e luftës anti-fashiste.

“Ne pajtohemi me faktin që çështja çame është një çështje e pazgjidhur politike që duhet adresuar diplomatikisht në frymën dhe me instrumentat e sipërpërmendur.Ne çmojmë përfshirjen e detyrimit që qeveria të raportojë çdo gjashtë muaj në parlament për adresimin diplomatik të kësaj çështjeje” ka shtuar Idrizi.

Gjithashtu, Idrizi ka shtuar se Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet është një parti që mbështet një patriotizëm modern e pragmatist, që di t'i japë përgjigje nevojave të sotshme dhe sfidave të së ardhmes dhe që nuk ka asnjë lidhje me qëndrimet dhe retorikat folklorike dhe anakronike ksenofobe dhe ultra-nacionaliste që më shumë ngjajnë me traditën shoviniste të vendeve fqinje sesa me të kaluarën e lavdishme dhe dinjitoze të rilindasve tanë.

“PDIU, e ka ngritur zërin për çështjen kombëtare çame dhe e ka çuar në çdo zemër shqiptare jo për të ndërsyer fantazmat e urrejtjes por për të ngritur frymën e drejtësisë. Në këtë kuadër unë dua të distancohem nga çdo përpjekje a keq-interpretim dashakeq që synon ta pozicionojë partinë tonë kundër minoritetit grek në Shqipëri ,apo ti trajtoje Shqiptaret e Camerise si minoritet ne Shqiperi. PDIU beson dhe mbështet fortë të drejtat universale të njeriut dhe të minoriteteve dhe pikërisht sepse lufton për këto vlera, i ka mishëruar ato në projekt-rezolutën e paraqitur në parlament” tha Idrizi.

Në fund të deklaratës së tij për shtyp, kreu I PDIU-së Shpërtim Idrizi i ka thirrje të gjitha partive, mazhorancës dhe opozitës, që të angazhohen që nesër për konsultime të hapura dhe konstruktive në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit që do të merrnin në konsideratë qëndrimet e partive të ndryshme dhe do të nxirrnin një tekst më të integruar e konsensual i votueshëm për të gjithë parlamentin Shqiptar."Pavarësisht se për partinë tonë çështja çame është boshti kryesor i ekzistencës si parti, ne e kemi bërë të qartë që në fillim dhe gjej rastin sot ta ritheksoj, se në rezolutën nuk e kemi parë asnjëherë si një dokument ekskluziv të partisë sonë por si një dokument konsensual të gjithë klasës politike. Prandaj i bëj thirrje të gjithë partive dhe deputetëve të kësaj legjislature që t'i përshpejtojnë hapat dhe të miratojnë atë,si një tekst të mirëpranuar nga të gjithë që adreson siç duhet çështjen çame. PDIU gjithashtu bashkohet me thirrjen e shoqatës patriotike Çamëria për të organizuar para parlamentit shqiptar në ditët e ardhshme një protestë masive kundër zvarritjes së pajustifikueshme të miratimit të rezolutës për çështjen came” përfundon deklaratën e tij Shpëtim Idrizi.