Tragjedia e Himarës, studentet e mbijetuara: Duam dëmshpërblimin
Studentët e mbijetuar në aksidentin tragjik të Himarës kanë deklaruar sot se nuk kanë marrë dëmshpërblimet e aksidentit dhe I bëjnë apel institucioneve të ndërhyjnë. Në një deklaratë për shtyp të bërë sot paradite para Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, 26 studentet e mbijetuara nga aksidenti tragjik theksojnë se kompania e sigurimeve nuk i ka dhënë ende dëmshpërblimin. “Kanë kaluar 11 muaj nga aksidenti dhe nuk kemi marrë asgjë. Kompania e sigurimeve na detyrohet 1.5 miliard lekë. I bëjmë thirrje ministrit të drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe kryeministrit ta shohin me rigorozitet çështja pasi kemi nevojë për paratë për të ndjekur kurat 4 nevojshme” ka theksuar Blerina Çereni një prej studenteve të mbijetuara. 26 studentët paralajmërojnë protesta dhe greva urie në rast të mos zgjidhjes së problemit. 11 studente, drejtuesi i një autobusi me të cilin ato udhëtonin dhe i fejuari i një prej vajzave, humbën jetën në një aksident të rëndë në Qafën e Vishës në rrugën Vuno Himarë. 26 studente të tjera u plagosën, kur autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë 80 metra të thellë.