Rezoluta çame, Shoqata Çamëria protestë të enjten para Parlamentit
Shoqata Çamëria fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestën që do të organizohet të enjten para Parlamentit për të kërkuar miratimin e rezolutës çame.Në një deklaratë për shtyp, Shoqata Çamëria thekson se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është po aq kombëtare sa edhe politike dhe gjithashtu është një domosdoshmëri për të nisur mbylljen e një plage të hapur të shoqërisë sonë.“Ndonëse ishte paralajmëruar, po shohim me shqetësim faktin që komisioni i jashtëm nuk po mblidhet sot dhe njëri prej relatorëve është izoluar në fshatrat e zonës së tij elektorale për fushatë. Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. Për këtë arsye, Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ftojnë të gjithë shqiptarët ditën e enjte në orën 11 përpara parlamentit për të protestuar në mbështetje të miratimit të rezolutës” thuhet në deklaratë.Gjithashtu Shoqata Çamëria thekson se në tubimin paqësor që do të zhvillohet të enjten do të tregohet se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit, e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt.“Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik. Por mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shpreh vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare” thuhet më tej në deklaratë.