Berisha: Epoka e Edvinit merr fund me Kushtetutën e Tiranës
Kryeministri Berisha deklaroi sot se vendimet e sotme të parlamentit janë të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për biznesin, investimet vendase dhe të huaja në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.Duke iu referuar ligjit për planifikimin e territorit, kryeministri Berisha theksoi se me anë të këtij ligji merr fund epoka e betonizimit dhe e shkatërrimit."Kushtetuta u mor peng nga një klan miliarderësh të PS që nuk lejuan që Tirana të bëhej me plan rregullues. Një plan i premtuar që në muajin e parë të mandatit nga kreu i PS-së, por një plan i shtyrë në kalendar për të mos u realizuar kurrë prej tij, ndryshimet që votuat në përputhje me planin kanë një rëndësi të madhe se ato heqin autoritetit qendror të gjitha kompetencat e mëparshme të trashëguara nga regjimi i kaluar dhe i kalojnë krerëve të bashkive dhe komunave" tha Berisha.Sipas tij, ky ligj hap siparin e Tiranës moderne, që në një hark dy vjecar njeh fillimin e punimeve të bulevardit të ri me gjerësi më të madhe se ekzistuese e gjatësi të njëjtë.“Do shndërrojë zonat periferike të Tiranës, ku shkarkoheshin makinat e plehrave se nuk niseshin në Sharrë se u vidhej karburanti, tani do jenë zona kryesore të metropolit, do kenë bulevardin ndër më të bukurin në Evropë, bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, Zogu I dyfishohet në gjithë parametrat e tij, do mbetet në memorien e shqiptarëve momenti kur kryetari i bashkisë si i ngratë dhe i shkretë shpërndante në bulevard thasët e plehrave si dëshmi e respektit të tij për qytetin dhe qytetarin. Tirana është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, merr fund me këtë votim në Kuvend dhe praktika e shpërblimit me leje ndërtimi dhe bërjes milionerë brenda natës vetëm për faktin se kishe teserën e PS dhe paguaje 20% pa bërë fjalë, tani nuk kërkohet më tesera e asnjë partie, tani për pronën do shpërblehen të barabartë mes të barabartëve, si ai mbi të cilin ndërtohet trualli, si ai që i bëhet parking, garazh etj”- tha Berisha.Gjithashtu, kryeministri Berisha ka kërkuar nga opozita të votojnë ligjet si akt pendese për gjithë bllokimet që kanë bërë në Kuvend dhe në një gjest miqësor ndaj atyre që i quanit eskimezë, në respekt të papunëve socialistë, demokrat e të paparti që presin me padurim krijimin e vendeve të punës.“Votoni në respekt të qytetarëve të Tiranës që u bëtë persekutim urbanistik gjatë 11 viteve në pushtet”- tha Berisha, duke deklaruar se epoka e Edvinit groposet në mënyrë përfundimtare në kushtetutën e re të Tiranës. Sipas tij, ajo ishte koha e betonit e shkatërrimit, madje edhe pas vilës në Dajt, ka një mandat deputeti.