Bashkia nis mbjelljen e 4 mijë pemëve të reja në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka nisur mbjelljen e 4 mijë pemëve të reja në kryeqytet. Mbjellja e pemëve e nisur ditën e shtunë do të vazhdojë përgjatë gjithë javës në kryeqytet, duke shtuar në këtë mënyrë gjelbërimin e munguar prej vitesh. Bashkia e Tiranës prej rreth një viti e gjysmë ka mbjellë 12 mijë pemë, duke zëvendësuar në këtë mënyrë betonin me gjelbërim. Zv/Kryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, tha se do të shfrytëzohet çdo hapësirë e mundshme për gjelbërim në Tiranë."Në total, në qytetin e Tiranës në zonat që po rikualifikohen, në rrugët e reja që po bëhen në qytetin e Tiranës do të ketë rreth 4000 pemë të reja që do të mbillen deri në fund të kësaj jave, plus edhe 8000 të tjera të cilat janë mbjellë vitin e fundit i shtojnë qytetit të Tiranës një kapacitet prej 12 000 pemësh të mbjella gjatë një viti e gjysmë.Angazhimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për të shtuar hapësirat e gjelbra në Tiranë  vazhdon dhe bëhet realitet. Tirana nuk është subjekt i betonizimit. Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë të mundshme për gjelbërim, duke pasur parasysh se qytetarët e Tiranës meritojnë hapësira për të shfrytëzuar kohën e tyre të lirë" - u shpreh Tabaku.Zv/Kryetarja e Bashkisë pa sot nga afër mbjelljen e pemëve në zonën e parkut të Liqenit, rigjallërimi i së cilës është vënë në prioritet të Bashkisë."Rreth 600 pemë në total kanë filluar të mbillen  në këtë periudhë dhe ndërkohë 1200 janë mbjellë gjatë një viti e gjysmë që ne jemi në Bashkinë e Tiranës. Parku i Liqenit, sidomos kjo pjesë që deri dje ishte e harruar dhe që ishte totalisht jashtë kujdesit të Bashkisë sot po kthehet në një zonë rekreative të gjelbëruar. Ka filluar paralelisht gjelbërimi i zonave tek sheshi "Shqiponja", tek restorant "Durrësi", rruga "Qemal Stafa", në Kinostudio, në zona nga më të ndryshmet, duke iu shtuar edhe pjesës që po gjelbërohet në secilën prej investimeve të reja që po bëhen në bashkinë e Tiranës" - theksoi Tabaku.Procesi i mbjelljes së pemëve të reja ka nisur ditën e shtunë, ku janë mbjelle 110 panja në zonën e  restorant "Durësit". Gjatë ditës së djeshme jane  mbjellë 108 rrapë tek zona e  Poligrafikut dhe pas Ministrisë së  Shëndetësisë. Në zonën e Liqenit, sot ka përfunduar mbjellja e 250 ligustrave, ndërsa nga sheshi "Shqiponja" deri tek mbikalimi i Kamzës  po mbillen 1000 oleandra dhe 45 mështekna.