PSG – Barcelona, deklarata e drejtorëve sportiv pas shortit
Një tjetër përballje interesante në çerekfinalen e Ligës së kampionëve do të jetë edhe ajo mes PSG dhe Barcelonës e cila pritet të dhurojë një duel të fortë sidomos mes Lionel Messit dhe Ibrahimoviç, edhe pse ky i fundit do ti mungojë përballjes së parë për shkat të kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Valencias.Drejtori sportiv i kryeqytetasve francez, braziliani Leonardo, deklaroi pas shortit se: "Ishte e vështirë të gjenim një skuadër më të vështirë në short. Për më tepër na mungon edhe Ibrahimoviç në ndeshjen e parë. Tani po presim apelin, edhe pse nuk jam shumë optimist. Shpresojmë që UEFA të jetë pak më e ndjeshme ndaj nesh pasi luajmë kundër Barcelonës. Por duhet të qëndrojmë të qetë. Para fillimit të këtij sezoni ishte një ëndërr të imagjinonim që do të luanim në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Barça mund të bëjë gjithçka, ne duhet të mundohemi të minimizojmë dëmet dhe të rrimë të qetë. Për ne, sido që të shkojë, do të jetë një festë e madhe".Ndërsa në kampin tjetër, drejtor sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, thekson se: "Skuadrat që ndodhen në çerekfinale janë këtu pasi do të thotë se kanë bërë gjithçka mirë. Ky short mund të interpretohet si i mirë apo i keq, por ajo do të shihet vetëm pas tre javësh nëse do të kthehemi përsëri këtu për shortin e gjysmëfinaleve. Duhet të jemi të kujdesshëm për shkak të asaj që përjetuam ndaj Milanit. Duhet ta interpretojmë ndeshjen e kthimit në fushën tonë si diçka pozitive. PSG ka shumë lojtarë me shumë cilësi. Me eksperiencën dhe njohurinë që kanë për luajtjen e ndeshjeve të këtij lloji, jam i bindur se do të jetë një sfidë për ne deri në minutat e fundit. Ata janë një skuadër shumë konkurruese dhe përballë do të kemi disa futbollistë që i njohim shumë mirë".