Meta: Koalicioni që i duhet Shqipërisë, “koalicioni për punësimin”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vizituar sot një kompani  “Call Center” në kryeqytet. Gjatë kësaj vizite Lideri i LSI-së u shpreh se do t’i jepet një mbështetje maksimale biznesit “Call Center” në Shqipëri, pasi sipas tij kjo mbështetje do të ishte në shërbim të rritjes së punësimit.Gjithashtu, Meta nënvizoi edhe një herë se për Lëvizjen Socialiste për Integrim punësimi i të rinjve ka qenë dhe mbetet jo vetëm prioriteti kryesor i programit ekonomik,  por edhe obligimi më i madh që klasa politike ka ndaj gjeneratës së re, për të ngjallur besimin për një Shqipëri që ofron më shumë punësim, më shumë siguri dhe mirëqenie, jo vetëm për të ardhmen por edhe për të tashmen.“LSI beson se “Koalicioni per punësimin e  qytetarëve” është koalicioni që i duhet Shqipërisë në këto kohë të turbullta si në Greqi ashtu edhe në Itali, në mënyrë që kriza e tyre mos të ketë vetëm efekte negative por edhe oportunitete të reja për thithjen e investimeve të huaja në vend sepse “Aleanca me bizneset” që punësojnë qytetarët, sidomos të rinjtë, është ajo që hedh themelet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit dhe LSI është e vendosur të bëjë gjithçka për këtë mision” ka theksuar Meta.Sipas Metës, pavarësisht impaktit negativ të krizës nga vendet fqinje, Greqi dhe Itali, ne duhet te jemi vigjilent për të shfrytezuar edhe oportunitetet që mund të sjellin  investimet e huaja në aktiviteteve të tilla biznesi në vendin tonë.“ Se mbështetja për këto aktivitete, për këto biznese, është një domosdoshmëri që ne të rrisim në një kohë sa më të shkurtër numrin e të punësuarve, sidomos të vajzave të reja dhe të djemve të rinj, të cilët njëkohësisht kanë edhe kualifikimin apo mund ta fitojnë atë në një kohë shumë të shpejtë për të ofruar këtë shërbim. Sot janë  me  mijëra të punësuar në “Call Center”, kjo falë edhe krahut të lirë të punës, por edhe barrës së ulët fiskale ne vend” tha Meta.