Shtohen rreshjet e shiut, rëndohet situata në veri dhe jug të vendit
Rreshjet e dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit, kanë shkaktuar një situatë të rëndë në veri dhe jug të vendit.Ndër zonat më të rrezikuara në veri është Shkodra dhe Tropoja, për shkak të hidrocentraleve të cilat ndodhen në këto qytete. Hapja e portave të Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe Komanit, ka sjellë përmbytje, si edhe ritje të nivelit të lumenjve Drin e Bunë, duke shënuar një situatë në kushtet e alarmit. Gjithashtu edhe në Tropojë gjëndja konstatohet kritike, pasi vetëm 8 m mban larg hapjen e portave në hidrocentralin e Fierzës.E njëjta situatë paraqitet edhe në jug të vendit, ku qyteti i Durrësit, Fierit e Vlorës, janë ndër më kritikët. Në qytetin e Vlorës që në orët e para të ditës, deti ka vërshuar në rrugë, duke shkaktuar përmbytje në disa zona. Për shkak të vazhdimit të rreshjeve të shiut, situata është përkeqësuar, duke bërë të pamundur funksionimin e portit. Edhe në portin e Durrësit situata paraqitet e vështirë për shkak të motit të keq. Gjithashtu edhe në qytet përmbytjej kanë sjellë një situatë të vështirë për të gjithë banorët. Ndërkohë edhe në qytetin e Fierit dalja nga shtrati e lumit Vjosë, paraqitet ndër më të rrezikshmet, ku kuota e matur nga eksertet kap nivelin e 5.3 metër. Në këtë mënyrë fshati Ferras, është një nga zonat më të prekura për momentin. Situata e krijuar ka vënë në gadishmëri shtabin e emergjencave, në Vlorë, Fier e në disa prej qyteteve më të rrezikuara.Përmbytjejt e shkaktuara nga rreshjet e dëndura të shiut në disa zona të vendit kanë sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike.