Sot shënohet 5 vjet nga tragjedia e Gërdecit, homazhe për viktimat

Familjarët dhe politika, ajo e majtë kryesisht, përkujtojnë 5 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit.15 Marsi i vitit 2008, do të ndryshonte përgjithmonë historinë dhe jetët e banorëve të këtij fshati vendosur në periferi të tiranës. Histori e cila vazhdon të sjellë lot për familjarët e 26 viktimave të shpërthimit të 5 viteve më parë.Në këtë ditë përkujtimore për 26 jetët e humbura, mori pjesë edhe kreu i opozitës Edi Rama. Pas vendosjes së buqetës me lule, Rama nuk ka dashur të flasë për mediat, duke e kaluar në heshtje këtë moment, pavarësisht interesit të televizioneve.Ndërsa prej 5 vitesh familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi nga gjykatat, Zamira Durda në këtë 5 vjetor do të dijë se përse nuk jeton djali i saj.Ndërsa Dilaver Alhasa ka humbur gruan në 15 Marsin e 2008, ajo ishte punëtore në fabrikën e vdekjes. Dilaveri tregon vuajtjet për humbjen e gruas por edhe vështirësitë që ka për të rritur 2 fëmijët pa ndihmën e askujt.Kur kanë kaluar 5 vjet nga humbja e 26 personave dhe plagosja e qindra të tjerëve, kjo çështje vazhdon të mbetet në dyert e gjykatave. Vetëm pak ditë më parë çështja u dërgua nga prokuroria për resurs në Gjykatën e Lartë, pas vendimit të apelit për uljen e dënimit me 1|3 për të pandehurit kryesorë të kësaj tragjedie.