Kosovë, PDK-ja e AKR-ja “ristartojnë” koalicionin
Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli përgatiten të “ristartojnë” koalicionin e tyre qeverisës, jo vetëm duke emëruar disa ministra të rinj, por me nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për qeverisje. Sipas mediave kosovare të cilat citojnë burime nga PDK-ja në takimin e fundit që është mbajtur mes Thaçit e Pacollit, nuk është diskutuar fare për emrat e ministrave të rinj, apo atyre që duhen zëvendësuar.Mediat kanë raportuar se AKR-ja ka kushtëzuar mbetjen në koalicion me marrjen e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, në krye të së cilës, sipas raporteve të ditëve të fundit, është përgatitur të vendosë Fadil Ismajlin, drejtorin ekzekutiv të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), por burimi nga PDK-ja ka thënë se në takim Pacolli dhe partia tij nuk kanë vënë kushte të tilla, dhe se janë dakorduar me idenë e PDK-së që në vend të një riformatimi të rëndomtë Qeveria duhet të rishikohet në kuptim më të gjerë.“PDK-ja kërkon që të shkohet në një marrëveshje të re të koalicionit, ku do të saktësohen edhe reformat e nevojshme qeverisëse, të përcaktohen pikat e nevojshme ekonomike e fiskale që do të ndihmojnë ambientin e biznesit, ndërsa duhet të ndërmerren hapa më konkretë kundër korrupsionit dhe drejt uljes së shpenzimeve qeverisëse”, ka thënë burimi nga PDK-ja.Sipas burimit, madje, brenda partisë më të madhe ka mendime se “duhet përgjysmuar numrin e zëvendësministrave”, si një masë për uljen e shpenzimeve të tepërta që bën qeveria. Një tjetër masë që thuhet të jetë përmendur nga PDK-ja është edhe mundësia e fuzionimit të disa nga më shumë se 30 agjencive të pavarura, që, përveç shpenzimeve, “do të ulte edhe numrin e shefave”