Dialogu me Kosovë, Serbia ka 3 skenarë për takimin e nesërm

Zyrtarët më të lartë shtetërorë të Serbisë  kanë shqyrtuar tre skenarë lidhur me vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe mundësinë e marrjes së datës për negociata me BE.Tre opsionet e prezantuara nga kreu shtetëror serb janë: (1) që deri në fund të insistohet në formimin e Bashkësisë së komunave serbe me të gjitha kompetencat; (2) në qoftë se nuk ka sukses opsioni i parë, të fillohet me përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE-ja në dhjetor, ose; (3) koalicioni qeverisës të vërtetojë se data për negociata me BE-në është çmim tepër i lartë për ato që kërkohen nga Beogradi."Planin përfundimtar që do të ndërmerret në raundin e gjashtë të negociatave me Kosovën zyrtarët serbë do ta përcaktojnë në takimin e sotëm, transmeton gazeta serbe “Blic”.Sipas gazetës serbe, negociatat me Kosovën kanë hyrë në qorrsokak sepse Prishtina nuk pranon kompromis dhe nuk do të lejojë që Bashkësia e komunave serbe, që do të formohej në veri, të ketë kompetenca ekzekutive dhe të zgjidhet përmes zgjedhjeve.Takimin e nesërm e ka thirrur kryeministri Ivica Daçiç, sepse situata në të cilën gjendet Serbia aktualisht kërkon qëndrim të përbashkët të koalicionit qeverisës.Sipas gazetës serbe, problemi më i vogël është që kryeministri serb deri në momentin e fundit të insistojë në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por shtrohet pyetja nëse do të arrihet diçka me këtë.“Beogradit shumë qartë i është thënë se Prishtina nuk do të japë kompetenca për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe nga ky qëndrim nuk do të heq dorë, sepse për një qëndrim të tillë e ka përkrahjen e Gjermanisë dhe SHBA-së”, shkruan “Blic”, duke cituar burime nga Brukseli.