Maqedoni, në mesnatë nis fushata për zgjedhjet lokale
Në mesnatë fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 Marsit në Maqedoni. Fushata do të zgjas 20 ditë, ndërsa më 23 mars do të jetë heshtja zgjedhore.Parlamenti mbrëmë miratoi ndryshimet e kodit zgjedhor, duke mundësuar që partitë e opozitës deri më 8 mars të dorëzojnë listat zgjedhore të kandidatëve për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal.Ky afat vazhdohet për herë të dytë pas marrëveshjes midis pozitës dhe opozitës maqedonase, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita maqedonase pas bojkotit të paralajmëruar vendosi që të marrë pjesë në zgjedhje, pas një marrëveshje me disa pika të firmosur në praninë e evrokomisionerit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle dhe raportuesit të Parlamentit Evropian, Richard Hovit.Kandidatët e listave të reja që do të dorëzohen deri më 8 mars, pritet të kalojnë në filtrin e Komisionit për Lustracion, në një afat prej 24 orëve. Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ku shqiptarët do të marrin pjesë në zgjedhje në rreth 40 komuna. Mbi 1.743.403 qytetarë do të shfrytëzojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e 24 marsit.