Takimi Thaçi-Daçiç përfundon pa marrëveshje, ritakimi me 20 mars
Ka përfunduar pa marrëveshje raundi i gjashtë i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, bisedime këto që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Takimi i ardhshëm do të mbahet më 20 mars.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur takimin e sotëm si konstruktiv, ndërsa ka thënë se ka marrë pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës.“Ishte takim konstruktiv në frymën e mundësive për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme në përputhshmëri me Kushtetuten e Kosovës dhe ligjet e saj. Është bërë progres në kuptimin e asaj që të kemi rend dhe ligj edhe në veri, të kemi rend demokratik, të kemi zgjedhje të lira, zgjedhje ku vetë qytetarët mund të zgjedhin përfaqësuesit legjitimë. Natyrisht që është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas ligjeve të Kosovës, por në asnjë rrethanë me ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo Ahtisaari plus përkundrazi gjithmonë gjithçka do të mbetet në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”, u shpreh Thaçi.Sipas tij, ka pasur një pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri.“Nga sot mund të them se jam më optimist për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë duke implementuar agjendën që e kemi para nesh të udhëhequr nga BE dhe të mbështetur nga SHBA”, tha Thaçi pas takimit të gjashtë me radhë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.Prishtina zyrtare kërkon zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veri dhe krijimin e një asociacioni të komunave, pa fuqi ekzekutive, por në anën tjetër Beogradi zyrtar kërkon një formë kompromisi kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv të këtij asociacioni.Takimi i sotëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, pason edhe një debat të vazhdueshëm në Kosovë e Serbi pikërisht për çështjen e këtij asociacioni.