Beogradi me strategji për asociacionin e komunave serbe

Serbia nuk do të ndalet nga tentativa për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.Marko Gjuriç, këshilltari i presidentit u ka thënë gazetarëve pas takimit që kreu I shtetit ka zhvilluar me kryeministrin Daçiç se Nikoliç është i gatshëm t’i zbatojë të gjitha detyrimet e Komisionit Evropian në mënyrë që Serbia të fitojë edhe datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.Megjithatë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sipas tij, duhet që të inkurajojnë Prishtinën që të bëjë hapa të nevojshëm për arritjen e marrëveshjeve në këtë moment kyç  të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.“Ndodhemi në atë moment kur Prishtina duhet të inkurajohet dhe të jetë e gatshme për kompromis, ngase pa këtë gatishmëri do të ishte një dialog i të shurdhërve”, ka thënë këshilltari Gjuriç.Ai ka thënë gjithashtu se Serbia shkon në vazhdimin e dialogut më 4 mars në Bruksel me strategji të definuar dhe me dëshirë të sinqertë që të arrihet marrëveshja dhe kompromisi dhe se është e gatshme që të bisedojë për të gjitha çështjet rregullative në Kosovë.Sipas tij, Serbia ka koncept të qartë në lidhje me formimin e bashkësisë së komunave serbe, e cila do të kishte kompetenca në shumë fusha me rëndësi dhe se Beogradi, vijoi ai, është i gatshëm për bisedime serioze.Thirrja e takimit të kreut më të lartë të Serbisë pasoi deklaratat e kryeministrit Ivica Daçiç të bëra të enjten, i cili tha se dialogu është në krizë dhe se marrëveshjet në dialog janë larg arritjes.