Shtohen presionet për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni

Bashkësia ndërkombëtare ka shtuar presionin ndaj faktorëve politik në Maqedoni për të tejkaluar dhe zgjidhur krizën politike. Mesazhet e forta nga Brukseli dhe Uashingtoni, takimet indirekte të diplomatëve europianë në Shkup si dhe presionet në formë diplomatike kanë vazhduar ditët e fundit ndaj palëve politike maqedonas për të zhbllokuar krizën politike dhe për të arritur kompromis që opozita maqedonase të heq  dorë nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 24 marsit.Mediat maqedonase kanë nënvizuar se është hapur një derë e vogël e dialogut midis palëve në konflikt, pas ofertave dhe kushtëzimeve të tyre publike, duke synuar arritjen e një kompromisi.Partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe partitë e tjera votuan ndryshimin e kodit zgjedhor, duke mundësuar afat të ri deri më 3 mars për dorëzimin e listave zgjedhore, një mundësi që të shfrytëzohet nga opozita maqedonase.Mirëpo, kjo e fundit ka mbetur këmbëngulëse në kërkesat e saj që të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare në rast se opozita fiton edhe një votë më shumë nga partia e kryeministrit Gruevski në zgjedhjet lokale.Gazeta “Dnevnik” ka supozuar në shkrimin e sotëm se ulja në një tryezë të përbashkët midis dy liderëve politik maqedonas akoma është mundësia e vetme për të ulur tensionet politike.“Në të kundërtën vendi kërcënohet nga dy skenare, mbajtja e zgjedhjeve lokale pa opozitën që do të dëmtonte demokracinë dhe proceset evrointegruese si dhe mundësia e dytë e incidenteve në ditën e zgjedhjeve”, shkruan gazeta. Dy ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare rreth gjetjes së zgjidhjes politike dhe se bashkësia ndërkombëtare edhe më shumë ka shtuar mesazhet drejtuar autoriteteteve politike të Shkupit.