Tekniku Alegri: Ndaj Barçës dua impenjim maksimal
Milan dhe Barcelona, dy klube që kanë shkruar një copëz të historisë së futbollit, do të përplasin brirët në një tjetër ndeshje ku e sigurt është vetëm një biletë për në çerekfinale. Në këtë këndvështrim edhe trajneri i Milanit, Masimiliano Allegri, e pranon se e pret një sfidë e gjitha për t'u përjetuar e shijuar. "Do të jetë një ndeshje spektakolare sepse përballen skuadrat me më shumë tituj në botë dhe këtë skenar e luajmë në San Siro", tha në prag të kësaj supersfide, trajneri i Milan.Më tej, tekniku kuqezi u shpreh se ndihet i karikuar dhe nuk kërkon alibi nga skuadra e tij."Me presidentin Berlusconi kam biseduar sepse një gjë e tillë ndodh në çdo pragndeshje. Diskutova për luksin që ofron kjo ndeshje. Ai shprehu mendimet e tij gjeniale dhe unë e dëgjova me kujdes duke planifikuar të hedh në fushë formacionin më të mirë. Ne do të kërkojmë të luajmë mirë, sidomos në ndeshjen e parë për të udhëtuar më të qetë në Barcelonë. El Shaarawy është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë i gatshëm", vijoi tekniku i "Djallit".Në vijim, Allegri analizon lëvizjet e kundërshtarëve në fushë duke kërkuar që lojtarët e tij ta kushtëzojnë sa më shumë lojën e Barcelonës."Ata e mbajnë topin në 65 % të kohës dhe ne duhet t'i limitojmë në këtë pikë duke u bërë presion sa herë që do të tentojnë të qarkullojnë topin. Në fazën ofensive kanë lojtarë shumë të aftë dhe ne do të mundohemi që të minimizojmë gabimet në mbrojtje pasi lojtarë si Messi asnjëherë nuk të falin. Edhe ata mund të na krijojnë hapësira në mbrojtje, prandaj duhet të luajmë me bindjen se kemi mundësi reale për t'u kualifikuar në fazën tjetër. Messi është një lojtar që bën diferencën por bashkë me të është edhe Iniesta, një prej asistmenëve më të mirë në botë" përfundoi trajneri i Milan, Masimiliano Alegri, i cili ashtu si Berluskoni kërkon nga lojtarët e tij një markim të rreptë nëse me të vërtetë dëshirojnë që të marrin një rezultat pozitiv në këtë përballje gjigandësh.