Zaneti fton Simeonen të jetë trajner i Interit
Drejtimit të Stramacionit te skuadra e Interit duket se i ka ardhur fundi, pasi tani trajneri 35-vjeçar nuk ka as mbështetjen e njeriut simbol të kësaj skuadre, kapitenit Zaneti. Ky i fundit në një deklaratë për mediat italiane, duket se ka ftuar ish mikun e tij argjentinas, Simeone që ti bashkohet skuadrës së Interit. Spekulimet mbi largimin e Andrea Stramaçionit nga stoli i Interit, para se sezoni të përfundojë, janë ndezur më shumë nga një batutë e kapitenit të zikaltërve, Havier Zaneti, i cili ka komentuar zërat për një interesim të Masimo Moratit ndaj Diego Simeones."Simeone është një mik dhe duke e njohur mirë, e di që mund të ketë dëshirë për t'u kthyer në Itali dhe për të drejtuar një skuadër si Interi. Unë kam patur shansin që të luajë në një skuadër për shumë vite me Simeonen dhe i njoh mirë aftësitë e tij si në fushën e lojës ashtu edhe në drejtimin e skuadrës. Por nuk është e drejtë të flasim tani, pasi në skuadër gjendet Stramaçioni, që është i ri dhe i aftë", ishte batuta e Zanetit, por që në mediat italiane është interpretuar si një ftesë e mirëfilltë që ai i ka bërë ish-shokut të skuadrës për të pranuar një ofertë të mundshme nga zikaltërit.Më pas, Zaneti për të përditshmen "La Gazeta dello Sport", ka folur edhe për momentet e ndryshme të karrierës së tij, duke bërë një bilanc edhe të trajnerëve që kanë kaluar në radhët e zikaltërve gjatë viteve që ai ka veshur fanellën e kësaj skuadre."Murinjo ishte i madh, ishte para të gjithë të tjerëve, përgatiste ndeshjet si pakkush dhe sidomos ishte një fitimtar. Kam një kujtim të mirë edhe për Mançinin, ai ishte i pari që na bëri të fitojmë. Me Lipin kishim shumë shpresë, pasi skuadra ishte e mirë, por nuk arritëm të jepnim gjë në fushë. Ndërsa Benitez kishte dëshirë për fitore por problemi ishte që nuk u përshtatëm me të", përfundoi kapiteni legjendar i skuadrës së Interit.