Tekniku Heinkes: Ishim përgatitur për një fitore të tillë
Trajneri i Bayern Mynih, Jup Heinkes, ashtu siç pati premtuar, ja arriti qëllimit që ti mundte londinezët në shtëpinë e tyre. Pas suksesit të merituar në fitoren 3-1 në transfertë, numri 1 i pankinës së bavarezve u shpreh se ndjehet i lumtur për suksesin e arritur edhe pse pak a shumë ai e pati paralajmëruar një gjë të tillë edhe përpara ndeshjes."Më duhet ta pranoj se ishte një fitore e thjeshtë. Por, kjo nuk nënkupton se Arsenali ishte kundërshtar i lehtë për t'u mundur. Bajerni është në një formë të mirë dhe, kur japim maksimumin në fushë, mposhtim pa probleme çdo rival. Kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe të fitosh ndaj një ekipi anglez, me rezultatin 3- 1, mbi të gjitha në transfertë është diçka e pabesueshme", - deklaroi kreu i pankinës bavareze.Më tej në lidhje me lojën e zhvilluar, Heinkes tha se: "Arritëm të ushtronim presion që nga minuta e parë dhe deri tek e fundit, duke e penguar Arsenalin që të bënte lojën e vet. Edhe pse ata u munduan ta qarkullonin shumë topin në pjesën e parë, ishim ne që dominuam dhe patëm rastet më të mira për shënim. Shkuam në dhomat e zhveshjes në avantazh 2-0, çka ishte një tregues i qartë i superioritetit tonë. Kjo na dha mundësi që në pjesën e dytë të ishim më të qetë në veprimet tona. Edhe pse me shënimin e golit londinezët u duk sikur na vunë në vështirësi, përsëri ne arritëm të dilnim nga situata dhe të mbyllnim këtë përballje me një fitore që askush ndoshta nuk e kishte imagjinuar kaq të thjeshtë ", - përfundoi trajneri i bavarezve, Heinkes, i cili tashmë ka hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve.