Tekniku Wenger: Asgjë nuk ka përfunduar
Edhe pse ka pësuar një disfatë shumë të rëndë në shtëpi, trajneri Arsen Venger, beson se asgjë nuk është mbyllur në lidhje me kualifikimin për në fazën tjetër të Chempions League.Tekniku francez, që muajt e fundit ka patur shumë probleme me tifozët e skuadrës dhe gazetarët, nuk i humbet shpresat për një kualifikimin të mundshëm në fushën kundërshtare, edhe pse Arsenali i tij u mund në shtëpi me rezultatin 3-1."Duhet të jemi realistë dhe ta pranojmë se është shumë e vështirë që të kualifikohemi. Gjithsesi ne mund të bëjmë të pamundurën të mundur. Duhet të luajmë në transfertë ashtu siç bëjmë në shtëpi dhe mendoj se i kemi aftësitë ta rikuperojmë këtë rezultat", -deklaroi trajneri francezi, i cili ka një besim të tepruar te skuadra e tij për të përmbysur një rezultat thuajse të pamundur për më tepër ndaj një kundërshtari në superformë, si Bayern Mynih.Ndërsa në lidhje me lojën e zhvilluar, tekniku i topçinjve tha se: "Goli i tretë ishte ai që na dëmtoi shumë psikologjikisht. Nëse do kishte përfunduar 1-2, mendoj se do ishim akoma më optimistë për të shkuar në çerekfinale. Ndeshja mund të kishte shkuar 2-2, para se Bajerni të shënonte, por nuk patëm fat. Shpresoj që në ndeshjen e kthimit gjërat të jenë në favorin tonë", përfundoi numri 1 i pankinës së londinezve.