Bavarezët tregojnë forcën ndaj Arsenalit, i mundin në Londër

Bajern Mynih ka treguar forcën edhe ndaj skuadrës së Arsenal, duke hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, falë fitores 3-1 në shtëpinë e topçinjëve. Kriza e skuadrës angleze ka vazhduar edhe në takimin e Chempions Ligës. Ekipi i Venger është shfaqur pa shumë ide dhe është dorëzuar shumë lehtë përballë një Bajerni, që përveç dominimit në Gjermani kërkon ta shtrijë atë edhe në arenën ndërkombëtare.Bavarezët e nisin mirë ndeshjen, duke e kontrolluar atë dhe duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të. Toni Kros, u jep avantazhin bavarezve me një gjuajtje përfekte që shokon të gjithë në "Emirates Stedium". Pa kaluar mirë 20 minutat e para, londinezët pësojnë një tjetër gol që do të jetë fatal për të besuarit e Venger.  Myler përfiton nga një gabim i portierit të topçinjve dhe dyfishon rezultatin që nuk do të ndryshojë në 45 minutat e para edhe pse vendasit hidhen në sulm për të shkurtuar diferencat.Pjesa e dytë është krejt ndryshe për skuadrën e Venger e cila kontrollon lojën dhe krijon raste për shënim. Një dalje e pakontrolluar e portierit bavarez, Nojer, në minutën e 55-të i jep mundësi Podolskit që të ndëshkojë bavarezët dhe të rrisë shpresat për një përmbysje rezultati. Vendasit zgjohen dhe japin përshtypjen se mund të përmbysin këtë ndeshje, me Zhirud që ka mundësinë të barazojë shifrat, por gjuajtja e tij këtë radhë ndalet nga Nojer. Iluzionet e londinezve i shuan një herë e përgjithmonë sulmuesi Mandzukiç, në minutën e 77-të, i cili vulos këtë fitore shumë të rëndësishme 3-1 në fushën kundërshtare. Duke parë formën e dobët të Arsenalit dhe nervozizmin e theksuar të "topçinjve" dhe trajnerit Venger, duket thuajse e pamundur që Arsenali të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit në Mynih. Ndërkohë, me një Bajern kaq vdekjeprurës nën drejtimin e Heinkes, lindë pyetja a ishte me të vërtetë e nevojshme të nënshkruhej me Guardiolën?