Eposi i Kreshnikëve gati për UNESCO?
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, para tre vitesh kanë filluar një projekt të përbashkët për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ky projekt ishte ndërprerë, për një vit, pasi Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, pati ndërprerë financimin e tij. I njëjti ka rifilluar së realizuari pasi MKRS-ja në Kosovë ka vendosur ta financojë dokumentarin e këtij projekti.Iniciuesi i këtij projekti dhe njëherazi kryetari i komisionit përgatitor në Kosovë,Zymer Neziri ka thënë se pjesa më e madhe e punës ka përfunduar në baza vullnetare dhe se projekti është në fazën përfundimtare."Projekti është në fazën përfundimtare dhe pas një pauze njëvjeçare kemi vazhduar punën e mbetur. Nga punët e mbetura është filmi dokumentar për eposin. Filmin dokumentar e ka marrë përsipër që ta financojë Ministria e Kulturës kurse firma e përzgjedhur për filmin dokumentar është firma në krye të së cilës është Orhan Kerkezi. Jemi duke punuar në realizimin e dokumentarit dhe besoj që brenda këtij viti do të realizohet", ka thënë Neziri.Ai ka bërë të ditur se dokumentari përmban të dhëna si dhe pamje të ambienteve të ndryshme epike të trojeve shqiptare."Dokumentari përmban të dhëna për lahutarët, pamje të ambienteve epike që nga Vlora e deri në Shalë të Bajgores. Nga Shala e Bajgores deri në Malësi të Gjakovës, një kaniaturë nga Malësia e Lezhës, Malësia e Madhe pjesa brenda shtetit shqiptar, Kelmendi me Hotin, Kastratime Shkrelin pastaj edhe Shala e Shoshit dhe pjesa e Malësisë së Madhe që mbetet nën Malin e Zi. Pra gjysma e Hotit, Gruda, Trieshi, janë diku rreth 10 pika në të cilat do ta punojmë këtë dokumentar",është shprehur Neziri.Sipas tij, finalizimi i këtij projekti, për dokumentarin, do të përfundojë brenda afatit të caktuar."Pjesa tjetër e mbetur ne shpresojmë se do të finalizohet në pranverë në qoftë se Ministria apo Qeveria vazhdojnë ta mbështesin pjesën financiare të projektit, e cila, deri më tash, nuk ka qenë e mbështetur, e përkrahur. Është punuar pa mjete financiare dhe është punuar në baza vullnetare ndonëse komisioni është qeveritar dhe në atë komision jam përgjegjës edhe unë por aty kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë edhe dy profesorë nga Tirana profesorë Shaban Sinani dhe profesor Vasil Tole", ka thënë Neziri.Ai ka shtuar se nëse dalin probleme për shkak të statusit të Kosovës, atëherë Tirana do të vazhdojë edhe në emër të Prishtinës të shtyjë projektin përpara."Me Tiranën jemi marrë vesh edhe për pjesën e problemeve të cilat mund të na dalin për shkak të statusit të Kosovës. Nëse do të kemi problem, atëherë Tirana vazhdon të ec përpara me emër të vet, në emër të Prishtinës. Qëllimi është të përfundojë puna mirë, qëllimi është të dorëzojmë dosjen, besoj dhe të miratohet gjatë procesit të procedurave që i ka atje vetë UNESCO", ka thënë Neziri.Ai ka thënë se projektet, zakonisht dorëzohen në UNESCO në çdo pranverë,kështu që deri atëherë, pra deri në mars, duhet të jetë gati.