Akuzat e PS për pronat, MM: Të gjitha proçedurat sipas ligjit

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish sot pas deklaratave të deputetit socialist, Taulant Balla, lidhur me mungesën e tranparencës në shitjen e pronave të Ushtrisë. Në një deklaratë për mediat Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri hodhi poshtë akuzat e Ballës, ndërsa e cilësoi të paprecedentë përpjekjen e Partisë Socialiste për të manipuluar opinionin publik, duke vënë edhe një herë në plan të parë interesat mediokre përpara atyre kombëtare.“Deputetit Taulant Balla, për herë të fundit dhe njëherë e mirë i themi se Ministria e Mbrojtjes NUK shet prona. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi shqyrton listën e pronave që do t`i mbeten në përdorim Forcave të Armatosura në funksion të zbatimit të misionit kushtetues, i propozon ministrit të Mbrojtjes listën e pronave që si rrjedhojë dalin të tepërta nga Plani i Përhapjes.Ministri i Mbrojtjes i përcjell Presidentit të Republikës listën me pronat që dalin tepër, i cili i miraton ato me dekret. Konferenca përmbyllëse dhe funerale e z. Balla ishte mbyllja me turp e fushatës politike disa mujore të Partisë Socialiste ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo përpjekje e paprecedentë dhe e padëgjuar më parë në historinë e pluralizmit për të manipuluar opinionin publik, tregon përfundimisht papjekuri dhe paaftësi politike të kësaj force, e cila vendosi interesa mediokre dhe banale mbi interesin kombëtar” deklaroi ai.Ndërkaq lidhur me pronën në zonën e Dajtit, MM tha se është përfituar nga familja e deputetit socialist, Qefalia, procedura këto që sipas këtij dikasteri janë bërë në përputhje të plotë me ligjin.“Sa për kujtesë, një nga ish-repartet ushtarake në zonën e Dajtit që gazetari i terrenit Taulant Balla demonstroi disa ditë më parë, është përfituar nga familja e deputetit socialist Qefalia. Kjo procedurë është realizuar në përputhje të plotë me ligjin ashtu si në rastet e tjera. I gjithë dokumentacioni i pronave të tepërta dhe trajtimit të tyre, i nënshtrohet shqyrtimit apo kontrollit ligjor, çka jo vetëm që nuk tremb askënd, por përkundrazi përbën një garanci më tepër për menaxhimin e deritanishëm në përputhje me ligjin” sqaroi Kulluri.Më herët deputeti Taulant Balla në konferencë për mediat theksoi se ushtria është zhveshur tërësisht nga pronat përmes një procesi privatizimi jo transparent.Sipas Ballës, në këtë proces të shitjes së pronave të ushtrisë për asnjë moment nuk janë marrë në konsideratë nevojat e FA, të ushtarakëve, kërkesa dhe projekte të njësive vendore që kërkonin që në këto hapësira të ngriheshin shkolla, apo për nevoja sociale të komuniteteve pranë pronave.Balla deklaroi se pas ardhjes së PS-së në pushtet do të bëhet publike e gjithë dosja e korrupsionit të ministrisë së mbrojtjes.